Është shpallur i pavlerë një raport performance, mbi bazën e të cilit në shtator ishin shpallur një numër komunash përfituese të Grantit në vlerë 5.2 milionë euro.
Vendimin e ka firmosur të hënën ministri i Pushtetit Lokal, Goran Rakiq, rreth një muaj pasi KOHA ka raportuar për dyshimet që i kishin hedhur për procesin Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe kryetarët e komunave veç e veç.
“MPL dhe donatorët konsiderojnë se rivlerësimi është mënyra më e mirë për trajtimin e të gjitha paqartësive të komunave lidhur me kriteret e vlerësimit dhe rregullave të zbatimit, si dhe për përfundimin e suksesshëm të procesit në pajtim me Rregulloren 01/2020 për Sistemin e Menaxhimit të Performancës së Komunave dhe Skemës së Grantit të bazuar në performancë”, thuhet në letrën me të cilën janë njoftuar komunat, e një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA.
Për këtë rivlerësim është vendosur në bashkëpunim me donatorët e Grantit: Ambasadën e Zvicrës, atë të Suedisë dhe me Ambasadën e Norvegjisë.
Në Ministrinë e Pushtetit Lokal nuk kanë treguar nëse do të ndërmerret ndonjë masë ndaj përgjegjësve që e kanë drejtuar vlerësimin, që tash duhet nisur nga e para.
Departamenti për performancë dhe transparencë komunale, që drejtohet nga Djellor Gashi, e ka pasur rolin kryesor në procesin e vlerësimit të performancës së komunave, që është finalizuar me një raport. E, pikërisht ky raport ishte burim kryesor i të dhënave për grantin.
Gashi ka qenë edhe kryesues i Grupit Teknik që e ka udhëhequr procesin e vlerësimit, pas të cilit ishin shpallur komunat përfituese. Ai thotë të mos ndiej përgjegjësi për shembjen e procesit.
“Si në rastin e hartimit të Raportit të Performancës Komunale për vitin 2019, ashtu edhe në procesin e hartimit të Raportit Vlerësues për Grantin e Performancës, e them me përgjegjësi të plotë se u jemi përmbajtur të gjitha rregullave, procedurave dhe kritereve të vlerësimit sipas akteve juridike dhe dokumenteve përkatëse profesionale”, ka thënë Gashi nëpërmjet një përgjigjeje të shkruar. “Arsyeja e rivlerësimit nuk ndërlidhet me çështje profesionale apo administrative të cilat bien në përgjegjësi të Grupit Teknik Vlerësues të kryesuar nga unë, prandaj nuk kam pse të ndihem përgjegjës për këtë çështje”.
Gashi ishte përfshirë në një debat publik, pas një deklarate të Asociacionit të Komunave të Kosovës, në të cilën ishin dhënë kritika për mostransparencë sa u përket formulave për shpërndarjen e grantit, si dhe ishte alarmuar për probleme me kriteret rreth kushteve minimale dhe indikatorëve të vlerësimit.
Pas kësaj, ministri Goran Rakiq pati njoftuar tri ambasada, shtetet e të cilave participojnë në grant – Ambasadën e Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë – për shkëputjen e marrëveshjes për Grantin e performancës komunale. Në letër ministri, ndër të tjera, përmend si arsye faktin se nga të gjitha komunat, përfshirë ato që kanë përfituar, “kontestohet transparenca e procedurave të ndjekura për ndarjen e këtij granti”.