Arbëri

Dyshime se sekserët u marrin pacientëve të sëmurë rëndë deri në 2 mijë euro për një profaturë false

Një hetim, i cili është nisur nga Prokuroria e Shtetit dhe është sinjalizuar nga Ministria e Shëndetësisë, ngre dyshime se sekserë të spitaleve private jashtë vendit ua marrin pacientëve të sëmurë rëndë deri 2 mijë euro për t’ua falsifikuar dy profatura të spitaleve për të aplikuar në Fondin e Sigurimit Shëndetësor për mbështetje. KOHA ka siguruar komunikime të cilat i mbështesin këto dyshime

Udhëzimi Administrativ për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike ka të përcaktuara çmimet për 115 lloje diagnozash ndërsa për ato që janë jashtë listës kërkohen tri profatura nga shtete të ndryshme për t’u përcaktuar vlera e shpenzimeve që mbulohen nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

Që paratë të mbeten te një pjesë e spitaleve është ngritur dyshimi se sekserë të spitaleve private u ofrojnë pacientëve dy profatura false, në mënyrë që ajo e spitalit të tyre të përzgjidhet për t’u mbuluar nga shteti. Për këtë, Ministria e Shëndetësisë ka sinjalizuar Prokurorinë Themelore të Prishtinës, e cila i ka nisur hetimet.

Në dosjen e hetuesisë janë dëshmitë e komunikimit të pacientëve me këta sekserë e në të cilat flitet për falsifikim profaturash.

Një profaturë e rreme kushton nga 1 mijë deri 2 mijë euro dhe për to barra i bie pacientit. Këtë e dëshmon një komunikim që Ministria e Shëndetësisë e ka dorëzuar në hetuesi, e cila më pas ia ka treguar KOHËS.

“Ndërmjetësuesi: Për ty është a? Pacienti: Po. Ndërmjetësuesi: Po, po unë e lajmërova për ty tash i thom 1.000 euro me t’i marrë jo 2.000, mos ta nin”, thuhet në njërin prej komunikimeve që i ka siguruar KOHA.

E në një tjetër komunikim, ndërmjetësuesi thotë se profaturat e Turqisë mund t’ia nxjerrë pacientit pa para, porse ato nga shtetet e tjera janë me pagesë.

“Pacienti: Mirëmëngjes. Transplant të mëlçisë... Ndërmjetësuesi: Po. Pacienti: Po më duhen edhe 2 fatura të shteteve të ndryshme. A un e bëjmë me dorëzu në ministri. Ndërmjetësuesi: Hmmm vallah unë të Turqisë 50 t’i dërgoj por shteteve të tjera pare po lypin vallah. Të premten unë e mora një”, thuhet në komunikim.

Lidhur me mashtrimet me profaktura, në Fondin e Sigurimit Shëndetësor kanë konfirmuar se lëndën e kanë dërguar në hetuesi.

“Sa i përket profaturave, të cilat parashihen me UA 03/2023 (aplikimi me 3 profatura për shërbimet që nuk janë pjesë e shtojcës), sipas vlerësimit të Bordit, Fondi ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë konfirmimet për secilën profaturë nga institucionet shëndetësore përkatëse. Çështja e profaturave është adresuar tek institucionet përkatëse”, kanë thënë në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

KOHA ditë më parë ka raportuar që një dyshim i madh është ngritur për tentativë abuzimi me buxhetin e dedikuar për të sëmurët në gjendje të rëndë. Disa spitale jashtë vendit kanë mohuar faturat e prezantuara nga pacientët në Fond. E të tilla fatura, të cilat dyshohet se janë false, figurojnë të jenë lëshuar nga spitale të shteteve të ndryshme, përfshirë edhe ato të Kinës.