Ndonëse ligjërisht është e ndaluar që Fondi i Sigurimit Shëndetësor pacientëve t’u rekomandojë spitale private, atëherë kur ata kanë nevojë për trajtim jashtë vendit, ka dyshime që një gjë e tillë po ndodh.
Një i ri ishte diagnostikuar me leukemi. I duhej trajtim jashtë shtetit. Fondi ligjërisht këtë pacient mund ta ndihmonte me 30 mijë euro, aq sa e lejon ligji. Familja kishte vendosur kontakt me drejtorin e këtij institucioni, Fatmir Plakiqi. E sipas dëshmive- mesazheve të familjes, ai ua rekomandoi spitalin.
Këtë komunikim, që familja pretendon të jetë bërë me Plakiqin, e ka parë KOHA. Drejtori Plakiqi ia dërgon familjarit një numër turk, të regjistruar si Semra. I thotë ta thërrasë “atë numër, se është Medical Park”.
“Medical Park” është rrjet spitalesh që përfiton me së shumti nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.
Për këtë çështje, është kontaktuar Plakiqi. Fillimisht, ai ka thënë që nuk mund të jetë në dijeni për rastin, shkaku që nëpërmjet këtij Fondi kalojnë shumë pacientë.
“Lidhur me pyetjen e lartcekur ju njoftojmë se për Programin e Trajtimeve Mjekësore Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (më tutje TMJISHP), për çdo vit aplikojnë rreth 1,500 pacientë, andaj është e pamundur të kujtohen rastet specifike. Megjithëse në pyetjet në vijim lë të kuptohet se çështja ka të bëjë më transplantim në spitalin ‘Liv Hospital’, ju informojmë se spitalet ‘Liv Hospital’ dhe ‘Medical Park’ të dyja së bashku operojnë në kuadër të ‘MLP Group’”, ka thënë Plakiqi.
Nga përmbajtja e mesazheve që ka parë KOHA del që familja nuk e pyet Plakiqin se në cilin spital ta dërgojnë, por është ai që ua rekomandon të bisedojnë me një përfaqësuese të këtij spitali, të quajtur Semra.
Madje, familja thotë që e kanë zgjedhur spitalin “Liv”. Por Plakiqi u përgjigjet që nëse zgjidhet “Livi”, atëherë mund të mos e marrin mbështetjen financiare të Fondit, me arsyetimin që “Liv nuk bën transplantime”.
“Spitali ‘Liv’ nuk kryen transplantime, për këtë kemi dëshmi (email) nga përfaqësuesi i këtij spitali. Siç e sqaruam më lart, spitali ‘Liv’ ka ofruar si dëshmi për transplantim licencën e spitalit ‘Medical Park’, më arsyetimin se operojnë së bashku në kuadër të ‘MLP Group’”, tha Plakiqi.
Për shkak që familja pjesën me të madhe të trajtimit do ta paguante vetë, ata u përcaktuan për spitalin “Liv”. Kjo sepse pagesa, sipas tyre, ishte rreth 50 mijë euro me lirë sesa spitali që pretendojnë që ua rekomandoi drejtori i Fondit.
Pas kësaj, Plakiqi thotë se ky nuk ka qenë rekomandim, porse familjes i kishte ofruar sqarime, ani që në mesazhe ai shkruante: Mua mos më përmend.
Emri “Semra” që përmendet në mesazhe është i Semra Sonmezit, drejtoreshë për Ballkanin në Qendrën Ndërkombëtare të Pacientëve të MLPCare. KOHA ka provuar ta kontaktojë, por ajo nuk u është përgjigjur telefonatave.
Plakiqi është pyetur për “Semrën”. Ndonëse pyetja ka qenë për raportin e tij individual, ai është përgjigjur që Fondi si institucion mban kontakte pune me përfaqësuesit e spitaleve.
Gjatë hulumtimit disamujor për Programin për Trajtim Jashtë Vendit, KOHA e ka kuptuar që pavarësisht pronësisë, “Liv” e “Medical Park” e kanë të ndarë procesin e rekrutimit të pacientëve. “Liv” ka dy përfaqësi në Kosovë.
Atmosferë
E “Medical Park” rekruton pacientë nëpërmjet shumicës së agjencive që gjendën në afërsi të Fondit.
“Liv” ka shumë me pak pacientë sesa “Medical Park”.
Deri në vitin 2017, sipas raportit të Fondit, borxhi për spitale private ishte 3 milionë euro.
Rritja e pagesave të Fondit për këtë spital, të cilin kjo familje pretendon se ua kishte rekomanduar drejtori Plakiqi, përkon me rritjen e fitimeve në këtë institucion, pikërisht pasi ai është bërë drejtor.
Sipas dokumenteve, “MPL Saglik” në vitin 2013 nga shteti mori 31.990 euro. Në vitin 2014, vlera e përfitimeve iu katërfishua. Nga 31 mijë vitin paraprak, në vitin 2014 vlera u bë 121.115 euro. Një vit më pas, këtij spitali iu rritën të ardhurat nga buxheti publik për pesë herë. Nga rreth 120 mijë euro, në vitin 2016 spitalit iu transferuan 736.827 mijë euro. Në vitin 2017 të ardhurat nga Programi për Trajtim Jashtë Vendit këtij spitali iu ulën pak për rreth 70 mijë euro, për t’iu rritur sërish në vitin 2018 për 200 mijë euro. Rrjeti i këtij spitali përfitimin më të madh e pati në 3 vjetët e fundit. Vlera vetëm për këtë institucion ishte disa miliona euro për një vit. Përderisa në vitin 2013 ky rrjet mori 30 mijë euro, në vitet 2019 e 2020 përfitoi 4 milionë e 251 euro.
Plakiqi ka thënë që pjesa më e madhe e pagesave kanë qenë para ardhjes së tij, por të dhënat flasin ndryshe.
Ai është bërë drejtor i këtij institucioni në vitin 2018. Më herët për pesë vjet ka qenë drejtor i Thesarit dhe anëtar i Bordit të Bankës Qendrore. Para kësaj, ai ka shërbyer edhe si drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Policinë e Kosovës dhe drejtor i administratës në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.
Për t'i lexuar të gjitha hulumtimet në lidhje me keqpërdorimet në Fond, klikoni KËTU