Arbëri

Dyshime për sasi të lartë të manganit në Badoc, IKSHPK-ja merr mostrat për testim

Foto: Koha

Foto: Arkiv

Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike (IKSHPK) është duke e testuar ujin e Badocit, nëse në të ka vlera të shtuara të manganit. 

Nga IKSHPK-ja kanë thënë se rezultatet e mostrave të marra deri më tani kanë treguar se nuk ka vlerë të shtuar të manganit mbi standardin e paraparë. 

Por ata kanë thënë se të mërkurën sërish kanë marrë mostra dhe se rezultatet do të dalin nesër (e enjte). 

“Në rezultatet e mostrave të marra deri më tani sipas planit të monitorimit nuk ka mostra që kanë rezultuar me vlera të shtuara të manganit mbi standardin e paraparë (0.05 mg/L) sipas UA 10/2021. Sot janë marrë përsëri mostra dhe nesër dalin rezultatet”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së për KOHËN.
Nga IKSHPK-ja kanë thënë se bazuar në informatat nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, për ulje të kapacitetit prodhues në fabrikën e Badocit dhe në përvojat e deritashme, në këtë kohë, në ndërrimet sezonale, mund të ndodhë ngritja e vlerave të manganit “në ujin e patrajtuar”. 

Ata kanë thënë se ka ngritje të vigjilencës për monitorimin e ujit për pije nga rubineti.

Nga 1 tetori disa zona të lagjeve në Prishtinë që furnizohen me ujë nga Badoci kanë pasur mungesë të ujit të pijshëm.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se ka probleme me sasinë e prodhimit të ujit, derisa me njoftim zyrtar do të dalin të enjten.

“Për shkak të disa problemeve me sasinë e prodhimit të ujit në Badoc, ka probleme me ujin në zonat që furnizohen nga Badoci. Nesër dalim me njoftim konkret”, thuhet në përgjigjen e KRU "Prishtinës" për KOHËN.

Ndërkohë nga gjysma e tetorit të vitit të kaluar, për një muaj rresht qytetarët që furnizohen me ujë nga Badoci nuk kanë mundur ta pinë e as ta përdorin për ushqim për shkak të vlerave të shtuara të manganit.

Liqeni i Badocit furnizon me ujë të pijshëm 20 për qind të kryeqytetit.