Arbëri

Dyshime për sajim mosmarrëveshjeje me qëllim përfitimi të 195 milionëve të shtetit

Kompania Fox Marble synon që nëpërmjet Arbitrazhit t’ia marrë Kosovës 195 milionë euro. E ka bërë këtë, nën pretendimin se shteti nuk ia njohu pronësinë mbi dy kompani që zotërojnë licenca për hulumtimin dhe shfrytëzimin e mermerit. Vëllezër, por me mbiemra të ndryshëm, janë: një nga dy themeluesit e Fox Marble, dhe drejtorët e të dy kompanive në kontest. Rexhep Shaqiri, i cili ka një tjetër kontest me Fox-in, thotë se mosmarrëveshja u sajua me qëllim të përfitimit të rreth 200 milionëve, e për këtë rast Avokati i Shtetit tashmë i është drejtuar Prokurorisë Speciale.

Kamionë pa ndalur po hynin për t’u ngarkuar në guroren Green Power, që ndodhet në malet e Rahovecit. Blloqet e mermerit të nxjerra me mund, janë shitur jashtë vendit dhe do të transportohen në rrugë detare, nga portet e Shqipërisë.

Por, fitimi kryesor synohet të nxirret në një rrugë tjetër dhe pa djersë.

Që nga viti 2019, FOX Marble ka nisur procedurat në Arbitrazh, për t’ia marrë Kosovës 195 milionë euro, pasi pretendon se shteti ia shkeli të drejtat si investitor i huaj kur ia mohoi pronësinë mbi guroret e Green Power dhe të kompanisë tjetër “Scope”.

Gjatë muajit maj, FOX bëri të ditur se ka angazhuar në ekipin e saj ligjor avokatin e shquar britanik, Këshilltarin e Mbretëreshës, Simon Nesbitt.

Këshilltari i Mbretëreshës është një titull i nderit, i cili në Mbretërinë e Bashkuar përdoret për të njohur avokatët britanikë për merita dhe kontribut të lartë në profesionin e avokatit.

“Kompania dhe këshilltarët e saj vazhdojnë të besojnë fuqimisht në meritat e çështjes së Fox Marble prej 195 milionë € kundër Republikës së Kosovës”, tha drejtori i Fox Marble, Christopher Gilbert, pas përfshirjes së këtij avokati.

Rexhep Shaqiri, të cilit, sipas një analize grafologjike, iu falsifikua nënshkrimi në një autorizim, nëpërmjet të cilit FOX ia përvetësoi tri gurore rreth një dekadë më parë, thotë se u sajua mosmarrëveshja mes tri kompanive, nga ku e ka burimin kontesti i ngritur në Arbitrazh.

Ai thotë se licencat iu morën, por jo edhe koordinatat ku ndodhej mermeri kualitativ, e të cilat i kishte pas studimeve që i kishte bërë në terren. Prandaj, pretendon se në mungesë fitimi domethënës, njerëzit e FOX-it dhe partnerë të tyre në Kosovë sajuan një mosmarrëveshje, me qëllimin për t'ia marrë shtetit 195 milionë euro.

“Atje kishin gërmuar gati për tetë vite. Prapë se prapë, ata nuk kishin mundur të fitojnë nga gurët dhe nga shitja e mermerit, për arsye se e kishin falsifikuar nënshkrimin por koordinatat ku i kisha bërë studimet dhe shpimet në ata 5 hektarë nuk i kishin pasur. Prandaj, ata gërmuan tërë kohën dhe nuk mundën të bëjnë ndonjë gjë”, thotë Shaqiri. “Pas shtatë ose tetë vitesh pune, kur e kishin parë se nuk mund të bënin asgjë me këtë biznes, atëherë kishin provuar mënyrën tjetër për ta vu Kosovën në Arbitrazh”.

Në mesin e kësaj mosmarrëveshje që Shaqiri thotë të jetë e sajuar, ndodhet një britanik dhe tre kosovarë që janë vëllezër, por që kanë mbiemra të ndryshëm.

Fox Marble, e cila e ka paditur Kosovën në arbitrazh, është themeluar nga Cristopher Gilbert dhe Etrur Rrustemi, ish-shef i PTK-së, e i cili e ka ndërruar mbiemrin në Albani. Kjo kompani kishte lidhur marrëveshje për t’i blerë dy kompani tjera që zotërojnë licenca guroresh, e të dyja, sipas të dhënave të ARBK-së, për drejtorë kanë vëllezërit e Etrur Albanit: Green Power drejtohet nga ish-deputeti Naim Rrustemi, ndërsa kompania “Scope” nga vëllai tjetër i tyre, Ilir Rama.

Green Poëer dhe Scope ishin tërhequr nga marrëveshja. Pavarësisht kësaj, FOX kërkoi nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) që ta bënte pronare të të dyja kompanive e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) i kërkoi t’ia bartte licencat e guroreve. Meqë kërkesat iu refuzuan shkaku i prishjes së marrëveshjes, FOX paditi Kosovën në arbitrazh.

Në Avokaturën Shtetërore treguan se gjatë trajtimit të dokumenteve tek përgatiteshin për përgjigje në padi, lindën disa dyshime.

Sami Istrefi, Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, tha se, pas kësaj lëndën e çuan në Prokurorinë Speciale.

“Avokatura e Shtetit ka shfrytëzuar të gjitha të drejtat mbase ka vlerësuar se kjo lëndë duhet të trajtohet nga Prokurori i Shtetit për shkak se kemi disa dyshime të bazuara që kjo çështje apo raportet juridike mes palëve të cilat kanë qenë, duhet të trajtohen nga organi i akuzës, dhe jo të jetë palë në procedurë shteti në arbitrazh ndërkombëtar”, thotë Istrefi. “Për njoftimin tuaj ne këtë lëndë e kemi dërguar më datë 18.10.2019 në Prokurorinë Speciale”.

Ai ka treguar se prej atëherë, më nuk kanë pranuar diçka nga Arbitrazhi. Ndërkaq, tregon se në rastet tjera, ka pasur dinamikë tjetër.

“Nga ajo kohë është dashur që tanimë të kryhen pothuajse të gjitha veprimet procedurale, nga zgjedhja e arbitrave e deri tek caktimi i orarit të seancave ku do të mund të shqyrtoheshin provat fillestare”, thotë Istrefi. “Ky rast është shumë specifik që arbitrazhi deri më tani asnjë kërkesë, njoftim, nuk kemi se çka ka ndodhur dhe çka është duke ndodhur me këtë lëndë”.

Etrur Albani thotë të mos ketë interesa në FOX, që nga viti 2016.

“Prej 1 shtatorit 2016, unë nuk kam lidhje çka ndodhë, çka s’ka ndodhë, çka ka me ndodhë në FOX. Nuk kam interes material. Nuk kam interes personal”, insiston ai. “S’jam i interesuar me pasë investime në Kosovë. Është shumë i komplikuar ai vend. Pikë”.

Por, platforma si “marketscreener”, e thonë të kundërtën. Në të, Albani figuron si aksionar i FOX-it.

Ai ka refuzuar të komentojë mbi pretendimet për aktivitetin në kompani, përfshirë deklarimin e Sami Lushtakut se për të qenë drejtor për Kosovë i kësaj kompanie, ishte ftuar në vitin 2019 nga vet Albani.

“Nuk jam tu komentu në thashetheme, as të individëve si Rexha, as të individëve si tjetërkush. Nuk jam i interesuar me ditë çka ka thanë, çka s’ka thanë”, është kundërpërgjigjur Albani. “Domethanë, po të lus mos um kallxo çka ka thanë e çka s’ka thanë se s’jam i interesum”.

Vëllai i tij, ish-deputeti Naim Rrustemi, nuk ka pranuar t’i publikohet ndonjë pjesë nga biseda për këtë rast, ndërsa KOHA nuk ka mundur të vejë kontakt edhe me vëllain tjetër të tyre, Ilir Ramën.

Ndërkaq, kompania Fox Marble që zhvillon veprimtari në Kosovë, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet mbi procesin e Arbitrazhit. Dy muaj më parë, ajo ka njoftuar ta ketë pasuruar me një avokat të njohur ekipin e juristëve, me të cilët synon t’ia marrë Kosovës 195 milionë euro, shkaku edhe i kësaj guroreje.

KOHA raportoi ditë më parë edhe për një kontest tjetër të kësaj kompanie.

Prej gati një dekade, në ARBK, Rexhep Shaqiri nuk figuron si aksionar i “Rex Marble”. Në të, të gjitha aksionet e kompanisë i njihen ndërmarrjes Fox Marble Limited, drejtor i së cilës figuron Chrisopher Gilbert dhe në bordin menaxhues të së cilës deri në vitin 2016 ishte Etrur Rrustemi.

Një vit pasi Shaqiri e kishte regjistruar kompaninë Rex Marble në Kosovë, Fox Marble mbërriti të regjistrohej në ARBK si zotëruese e 100 për qind të aksioneve të saj.

Shaqiri thotë se kjo ndodhi duke ia falsifikuar nënshkrimin në një numër dokumentesh, përfshirë autorizimin në të cilin u thirr një studioje avokature në Prishtinë, e cila përcolli dokumentet në ARBK, hap që rezultoi me ndërrimin e aksionarëve.

Shaqiri ka ushtruar kallëzim penal edhe ndaj ish-punonjëses së Avokaturës që përmendet në Autorizim, e edhe ndaj një prej partnerëve kryesor të kësaj studioje. Të dy i implikon në falsifikim.

Autorizimi, për të cilin Avokatura thotë t’i ketë ardhur me postë të shpejtë, ishte fare i shkurtër dhe i shkruar në shqip dhe anglisht.

Ekspertiza grafologjike që e mori në konsideratë Gjykata, gjeti se nënshkrimi në të nuk ishte shkruar nga Rexhep Shaqiri.

“Ndryshimet e theksuara në mjaft prej karakteristikave të përgjithshme e të veçanta shkrimore, si ndërmjet vet dy nënshkrimeve të kontestuara (njëri emër-mbiemër shkruar me shkronja të vogla të dorës, e tjetri shkruar me shkronja të mëdha të shtypit), me ato mostra krahasuese respektive, janë përcaktuese për mos praninë e origjinalitetit dhe autenticitetit të nënshkrimeve të personit”, thuhet në ekspertizë.

Gjykata vlerësoi në qershor se autorizimi nuk ka mbuluar veprimet e ndërmarra realisht, e që kanë pasur të bëjnë me tjetërsim të pronarit. Sipas saj, një autorizim i këtillë do të duhej të ishte i noterizuar, për qëllime të krijimit të sigurisë juridike.

Fox Marble është mbështetur edhe nga komandantë me pushtet në Kosovë.

Në fillim të tetorit 2016, në emër të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vënë firmën mbi një memorandum mirëkuptimi, të lidhur me kompaninë “Stone Alliance”. Veseli nuk kishte firmosur me ndonjë kompani tjetër memorandum të kësaj natyre. Madje, ishte kritikuar për të, shkaku që nuk është në natyrën e punës së kryeparlamentarëve të bëhen palë në marrëveshje të tilla për investime.

“Stone Alliance” është ndërmarrje e regjistruar në Shtetet e Bashkuara. Pronare e 59 për qind të aksioneve të saj ishte “Fox Marble”, në kohën kur memorandumi u nënshkrua.

Sipas memorandumit, palë e të cilit është Kuvendi i Kosovës, kompania duhet t’i sigurojë minimum 100 milionë euro nga burimet e jashtme për ta lehtësuar hapjen e 40 guroreve dhe fabrikave të mermerit në rajon, brenda një periudhe pesëvjeçare, me synim që ta sigurojë prezencën e Kosovës në industrinë e gurit, duke krijuar më shumë se 2 mijë vende pune.

Në fund të janarit të 2019-s, Ramush Haradinaj si kryeministër, kishte vizituar ndërmarrjen Fox Marble. Kreu i atëhershëm i qeverisë kishte folur në superlativ për kompaninë dhe kishte thënë se 99 për qind të prodhimeve i eksporton për në Kinë, Indi, Angli, Shtetet e Bashkuara, Turqi dhe Dubaj.

Në një komunikatë të Qeverisë, Haradinaj ishte cituar t’i ketë ofruar mbështetjen e qeverisë, e edhe të ketë thënë se veprimtaria e Fox Marble “mund t’i bëjë emër Kosovës”.

Një tjetër eksponent lufte që u lidh me të njëjtën kompani është Sami Lushtaku, i cili për një kohë ishte kryetar i Skenderajt dhe njeri me ndikim në politikat e nivelit qendror gjatë kohës sa vendi qeverisej nga Partia Demokratike së cilës i takon. Ai u bë drejtor i Fox Marble për Kosovën. Lushtaku nuk iu përgjigj telefonatave të KOHËS dhe as nuk ktheu përgjigje në kërkesën për prononcim, që iu bë në formë të shkruar.

Resurset e mermerit në Kosovë ishin vlerësuar nga burimet e hartave sipërfaqësore dhe shpimeve të kryera në vitet 1960 dhe një sondazhi të fundit gjeofizik. Ishte nxjerrë konstatimi se ndodhen rreth 235 milionë metra kub të gurit dekorativ. Mbështetur në dokument, “Golder Associates” ka nxjerrë vlerën e përafërt të burimeve të treguara të mermerit në tokë në vlerë prej 16.5 miliardë eurosh.