Arbëri

Dyshime për marrje të certifikatave për patentë shofer pa iu nënshtruar kontrolleve mjekësore

Procesi i pajisjes me patentë shofer paraprakisht kërkon një certifikatë mjekësore, për të cilën janë ngritur dyshime rreth cilësisë së saj. Disa që janë pajisur me lejen e vozitjes kanë treguar se autoshkolla ku i kanë kryer orët, i ka drejtuar në një institucion privat ku fare nuk u janë nënshtruar ekzaminimeve mjekësore. E në sistemin publik, në kryeqytet një gjë e tillë nuk mundësohet për shkak të mungesës së psikiatrit

Kandidatë që synojnë të marrin patentë shofer duhet të pajisen fillimisht me një certifikatë shëndetësore, e cila paraqet aftësinë fizike e mendore dhe ligjërisht merret vetëm pas nënshtrimit të disa kontrolleve mjekësore.

Ndonëse ajo mund të nxirret në institucione të licencuara dhe autorizuara nga Ministria e Shëndetësisë, në sistemin publik dhe atë privat, kandidatët zgjedhin alternativën e dytë për t’u pajisur me certifikatë mjekësore.

Një kandidate që vitin e kaluar ka marrë patentë shoferin, nën kushte anonimitet ka treguar se u pajis me dokumentacion pa iu nënshtruar fare ekzaminimit mjekësor.

“Kam shkuar për aplikim te autoshkolla dhe më ka caktuar një klinikë private, ata më ka thënë shko te kjo klinika se krejt klientët tonë shkojnë te klinika që s’po ia përmend emrin, një klinikë private. Aty në momentin kur kam shkuar veç më kanë endë prej një zyre në zyrën tjetër edhe veç kam nënshkruar, nuk ka pasur as një kontroll as kurrgjë. Në momentin që kom hi, për shkak se mbaj edhe syze por atë ditë nuk i kam pas syzet. Në momentin kur kom hy te zyra që e kontrollojnë shikimin, ka dashur  me nënshkruaj veç i kom tregu që kam syze. Më ka thanë a e din përafërsisht dioptrinë, ia kam tregu, e ka shënuar dioptrinë edhe më ka thënë mundesh me vazhdu. E kom marrë letrën, atë letër e kam dërguar në autoshkollë pa asnjë problem”, ka thënë kjo kandidate.

Në Federatën e Autoshkollave të Kosovës pranojnë se kandidatët më shpesh u vijnë të pajisur me këtë dokument nga institucionet private.

“Ka qenë, ajo certifikatë është marrë vetëm në institucionet publike, ndërsa më vonë pas disa shtatë-tetë vjetëve, diku dhjetë vjetëve ka fillu, ku është arritur një marrëveshje mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të licencohen edhe disa institucione private të lëshojnë certifikata mjekësore për patentë shofer. Kandidatët më shpesh po shkojnë në institucione private, po u duket më shpejt po kryejnë punë, apo më afër po e kanë diku apo diçka tjetër. Kështu që ka laramani rreth marrjes së saj edhe nga institucionet publike edhe nga institucionet private”, ka thënë Xhemshit Cakolli, kryetar i Federatës së Autoshkollave.

Certifikata për lejen e vozitjes e lëshuar nga konsiliumi i profesionistëve parashihet në kuadër të shërbimeve shëndetësore që kryhen në nivel parësor me çmim 18 euro.

KOHA ka mësuar se në institucionet private që lëshojnë këtë certifikatë mjekësore çmimi për pajisje me dokument është së paku pesë euro më shtrenjtë.

Sipas Udhëzimit Administrativ për certifikata shëndetësore, për lëshimin e certifikatës për patentë shofer, kandidati duhet t’u nënshtrohet ekzaminimeve tek specialisti i mjekësisë familjare, oftalmologu, neurologu apo neuropsikiatër, psikiatri apo neuropsikiatri dhe psikologu.

Por, një dokument i tillë, në kryeqytet nuk mundësohet që dy vite fare.

“Nuk kemi psikiatër andaj edhe në qendrën tonë nuk lëshohen certifikatat për shkathtësi psiko fizike. Nuk i lëshojmë meqë ka më tepër se një vit që psikiatrit e fundit janë pensionuar në Kosovë dhe bazuar në legjislacionin në fuqi, në udhëzimin administrativ edhe 08/2017 po edhe plotësim ndryshimin 03/2020 nuk parashihet që në kujdesin parësor shëndetësor të punësohet specialisti i lëmenjve të tjerë”, ka thënë Valdet Hashani, kryeshefi i Departamentit të Mjekësisë Familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Për dukurinë e pajisjes me këtë dokument pa iu nënshtruar fare kontrolleve, ka treguar edhe njohësi i çështjeve të komunikacionit, Nol Dedaj. Ai ka thënë se ky fenomen paraqet rrezik të madh në trafik.

“Për fatin e keq, informacionet qarkullojnë se drejtuesit e automjeteve shkojnë te institucioni përkatës që është i licencuar edhe aty vetëm ia vërtetojnë me vulat e ekspertëve derisa nuk iu nënshtrohen fare ekzaminimit mjekësor. Kjo është ajo fatkeqësia më e madhe që mundet me i ndodh dikujt”, ka thënë Dedaj.

Lidhur me këto çështje, KOHA ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Infrastrukturës, por nuk ka marrë përgjigje.