Janë bërë dy vjet qëkur në krye të Prishtinës është Përparim Rama.
Rama kishte dhënë betimin e tij më 7 dhjetor 2021, ku gjatë seancës inauguruese kishte premtuar se zëri i qytetarëve do të dëgjohet.
Dy vjet më vonë, problemi me qentë endacakë vetëm sa vjen e rritet, mungesa e ndriçimit publik, tollovitë në trafik e shumë të tjera ende nuk kanë gjetur zgjidhje.
Për vetë të parin e komunës, dy vitet e para të mandatit ishin me plot punë. Ai thotë se aq shumë punoi për 24 muaj sa nuk është punuar as për 30 vjet.
“Prishtina është sfiduese është një qendër e madhe, e cila po rritet dita-ditës, banorët e kryeqytetit janë të matur me statistika të vitit 2011 dhe ne normalisht që punojmë me buxhet të përgjysmuar dhe staf të përgjysmuar. Përkundër kësaj ne kemi arritur që të lirojmë hapësira të shumta publike, kemi krijuar rregullore të ndryshme dhe të shumta të cilat ua lehtësojnë jetën qytetarëve. Kemi nënshkruar kontrata të ndryshme, siç ishte ajo gjatë javës me BERZH-in për sjelljen e autobusëve të rinj. Kemi hapur projekte monumentale, pra ndër më të mëdhajat në historinë e kryeqytetit, siç është rruga ‘Xhim Xhema’, e me këtë rrugë do të zgjidhim edhe shumë probleme të qytetarëve”.
“Vitet e fundit kemi kryer punë më shumë se 30 vjetët e fundit sa i përket rrjetit të Termokosit, pra të ngrohjes në të gjitha zonat kyçe të kryeqytetit ”.
Opozita këta dy vjet qeverisje të Ramës i quan të dështuar.
Gëzim Sveqla nga LVV thotë që përveçqë nuk ka projekte të mirëfillta, kjo qeverisje ka dështuar edhe me koalicionin që e ka me PDK-në.
“Këta dy vjet janë të dështuar për qytetin. Kemi mungesë të projekteve, Përparim Rama nuk është duke bërë projekte, ky koalicion qeverisës ka dështuar gjithashtu. Kjo dëshmohet me suficitin e madh buxhetor që e kemi këtë vit, kemi më së shumti buxhet në historinë e Prishtinës, që i bie se kanë dështuar paratë e projekteve, nëse ato kanë tepruar do të thotë që nuk janë shpenzuar në projekte. I kanë përfunduar disa projekte të qeverisjes së kaluar që lidhet me rrugën ‘A’, e cila edhe ashtu është në proces gjyqësor. Kemi stagnim total, i kanë përfunduar disa shkolla që kanë filluar më moti, po ashtu parkingu nëntokësor, kjo është për keqardhje”.
Rama do të qeverisë me Prishtinën edhe dy vjetët e ardhshëm, deri në vitin 2025, kur edhe do të zhvillohen zgjedhjet lokale.
Në dy vjetët e ardhshëm qytetaret presin që si t’i realizojë premtimet e mëdha sidomos ne infrastrukturë, sikurse lidhja e Arbërisë me Pallatin e Rinisë. Në buxhetin e vitit që vjen qeverisja e tij do të realizojë projektet kapitale, sikurse ndërtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’, Ndërtimin e Strehimores së qenve në Slivovë, Ndërtimi i unazës së qytetit, segmenti - lindje/jug/perëndim ( Prishtina e Re ), Ndërtimin e spitalit të qytetit dhe shumë projekte të tjera.