Problemet e qytetarëve me prona brenda territorit të Komunës së Prishtinës janë të vazhdueshme.
Tash e sa kohë Komuna e pati zvarritur projektin për hartën zonale, e cila synon t’i zgjidhë këto probleme.
Edhe pse drejtorja e Planifikimit Strategjik, Mimoza Sylejmani, thotë që tanimë projekti është i punuar dhe i gatshëm nga ana e Komunës, ende nuk kanë miratimin nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Sipas Sylejmanit, ata ia kanë dorëzuar Ministrisë në fjalë planin strategjik që në nëntor të vitit të kaluar, por për shkak të festave të fundvitit përgjigjja është vonuar.
“Planifikimi strategjik tanimë është gati dhe ne e kemi dërguar atë në Ministrinë e Mjedisit. Në atë projekt është edhe unaza e qytetit dhe ne e lëmë 30 ditë në ministri për aprovim, pas aprovimit të planit zhvillimor komunal. Atëherë ne i kemi vetëm 9 muaj që ta përfundojmë hartën zonale. Ne me dokumentacion jemi gati, sepse pronat komunale i kemi të verifikuara po ashtu me kadastër jemi në rregull. Plani zhvillimor është shumësektorial, kjo në hierarki është plani më i madh kurse në zbatim plani më i vogël”.
“Ne e kemi dorëzuar planin zhvillimor më 30 nëntor në Ministrinë e Mjedisit, mirëpo ende nuk e kemi një përgjigje nga ta. Ndoshta për shkak të festave janë vonuar por po presim që gjatë kësaj jave të kemi edhe një përgjigje zyrtare”.
Në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit për KOHËN, thuhet se kryeqyteti ende është në proces të hartimit të planit zhvillimor.
“Kryeqyteti Prishtinë është në proces të hartimit të Planit Zhvillimor të Komunës/Kryeqyteti Prishtinë. Pas miratimit të Planit Zhvillimor Komunal, sipas ligjit në fuqi, duhet të hartojë Hartën Zonale të Komunës/Kryeqyteti Prishtinë. Për informata drejtohuni tek autoriteti përgjegjës komunal për planifikim dhe menaxhim hapësinor i cili është përgjegjës i hartimit te dokumentit të planifikimit hapësinor -Hartës Zonale te Komunës”.
Sylejmani thotë se që nga viti 2013, kur në krye të Prishtinës ishte Isa Mustafa, plani urban e parasheh që “Xhorxh Bushi” të jetë shesh.
Dhe se kryetari Rama vetëm se po e zbaton atë plan në praktikë tanimë.
“Këtu kemi planin zhvillimor urban komunal i cili është i miratuar në vitin 2013, pra në fund të mandatit të kryetarit Isa Mustafa, aty parashihet të jetë e ndarë në tri segmente. Pjesa e parë e përshin pjesën kryesore të shesheve të cilat janë edhe sot, po ashtu edhe pjesën e “Xhorxh Bushit” e deri të rrethi me flamur. Pra kryetari Rama vetëm se është duke e zbatuar planin urban e po ashtu këto hapësira do të ndahen edhe me qendra si 1, 2 dhe 3 ”.
KOHA ka provuar që të marrë përgjigje edhe nga ish-kryetari Isa Mustafa, mirëpo i njëjti gjatë gjithë ditës nuk ka kthyer përgjigje.
Sylejmani thotë që harta zonale do të zgjidhte shumë probleme në kryeqytet e po ashtu do të jetë një plan shumë i mirë për lagjet ‘Kalabria’, dhe ‘Kodra e Diellit’.
Me këtë hartë nuk do të vendoset koeficienti i pronave, mirëpo vetëm projektimi.
Meqenëse nuk premton që deri në fund të mandatit qeverisës ta përfundojnë edhe komplet projektimin e hartës zonale.
Deri më tani 30% e komunave kanë miratuar Hartën Zonale të Komunës, ndërsa diku 60% të komunave janë në proces, ndërsa të tjerat janë në fazën përgatitore për fillimin e hartimit.