Arbëri

Dy vjet nga aplikimi i Kosovës, BE-ja thotë se po bëhen diskutime në mesin e shteteve anëtare

Albin Kurti duke dorezuar aplikimin e Kosoves per anetaresim ne BE gjate vitit 2023

Të dielën janë bërë dy vjet që kur Kosova ka dorëzuar kërkesën e saj për anëtarësim në Bashkim Evropian. Kërkesa ende gjendet në sirtar të Këshillit Evropian. 

Një zyrtar i Bashkimit Evropian ka thënë për KOHËN se është duke u rishikuar në Këshill Evropian aplikimi dhe se po bëhen diskutime në mesin e shteteve anëtare. 

“Sa i përket procesit, pasi të arrihet një pajtim unanim, Këshilli formalisht do ta ftojë Komisionin Evropian ta rishikojë aplikimin dhe ta përgatisë një opinionin mbi meritat e aplikimit të vendit bazuar në kriteret e anëtarësimit”, thuhet në përgjigjen.

Zyrtari nuk ka thënë se cilat janë arsyet pse nuk është bërë ndonjë lëvizje në këtë drejtim, vetëm ka thënë se çdo përparim kërkon unanimitet.  

“Vini re se çdo përparim kërkon unanimitet dhe, brenda BE-së, janë pesë shtete anëtare që aktualisht  nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë zyrtari. 

Ai nuk ka dashur të komentojë për gjasat që të ecet para me aplikimin gjatë vitit të ardhshëm. 

“Diskutimet midis shteteve anëtare janë duke vazhduar dhe në këtë fazë nuk është e mundur të parashikohet rezultati. Megjithatë, presidenti Costa e ka përsëritur në shumë raste se zgjerimi mbetet një prioritet gjeostrategjik për BE-në, siç përmendet edhe në Agjendën Strategjikë 2024-2029. Dhe Presidenca e ardhshme polake ka deklaruar në programin e saj se do të punojë për të ‘përparuar në procesin e zgjerimit, si në drejtimin lindor ashtu edhe në lidhje me Ballkanin Perëndimor, në përputhje me përfshirjen e vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në BE, me qasjen e bazuar në merita. Prandaj, puna do të vazhdojë vitin e ardhshëm për të avancuar në procesin e zgjerimit”, thuhet në përgjigje. 

E ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, në një deklaratë për “KosovaPress” ka thënë se disa vende anëtare të BE-së ende nuk janë të bindura se është momenti i duhur që të shqyrtohet aplikimi i Kosovës. 

“Unë mendoj se disa anëtarë të BE-së nuk janë plotësisht të bindur se për momentin është i përshtatshëm. Këtu mendoj se i kthehemi vetë çështjes së zbatimit të çaneksit] Ohrit apo marrëveshjes së 27 shkurtit për t’i bindur të gjitha vendet anëtare se është momenti i duhur. Ne mbështesim që Kosova përfundimisht të bëhet anëtare e BE-së, sikurse edhe vendet e tjera të rajonit. Ne e shohim qartë rrugën drejt integrimeve evropiane, dëshirojmë që të plotësohen disa kushte, një nga kushtet më të rëndësishme është ky kusht politik që Kosova të jetë plotësisht e angazhuar në dialog dhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë të dialogut. Për çështje të tjera si gatishmëria për reforma të brendshme, gatishmëria e ekonomisë, gatishmëria e institucioneve, ne shohim një progres të bërë nga qeveria e Kosovës”, ka thënë ai.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, tha se pritet lëvizje nga udhëheqësia e re e BE-së.

“Ne qëndrojmë në pritje të pranimit të pyetësorit dhe vlerësimit në bazë të meritokracisë për avancimin në proces. Kosova e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat, e këtë do ta dëshmojmë me të pranuar pyetësorin e plotësuar atë, sipas kritereve dhe afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian... Presim hapa konkretë me ardhjen e konstelacionit të ri në përbërjen e institucioneve në Bashkimin Evropian, dhe presidencën e ardhshme të Polonisë nga janari”, ka thënë Kadiu.