Rreth 52 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit dy vizita që presidentja Vjosa Osmani i ka realizuar në Shtetet e Bashkuara. Bazuar në të dhënat e Presidencës, përgjatë vizitave, vetëm një drekë dhe një darkë janë paguar me para të shtetit. Në darkë ishin shtatë persona dhe për të u pagua fatura prej 1 mijë e 164 dollarësh.
Biftek, verë e salmon. Kjo është një pjesë e menysë së darkës për shtatë persona që presidentja Vjosa Osmani ka pasur në New York, në shtator të vitit të shkuar dhe e cila buxhetit të shtetit i ka kushtuar 1 mijë e 164 dollarë.
Fatura që Presidenca e ofroi pas kërkesës për qasjes në dokumente publike, tregon se vetëm për tre biftekë për gjashtë persona janë shpenzuar 417 dollarë, ndërsa për 4 shishe me verë edhe 285 dollarë të tjerë.
Sipas Presidencës, darka u shtrua në margjina të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Por, KOHËS nuk i janë ofruar informacione se kush janë personat, me të cilët presidentja ka darkuar.
Gjatë kësaj vizite, Osmani ka pasur edhe një drekë, por që për të është precizuar se ka qenë me anëtarë të kabinetit. Sipas faturës, kostoja e saj është 224 dollarë.
Në shtator, presidentja Osmani, ka qëndruar në ShBA, nëntë ditë. Sipas Presidencës, dreka dhe darka kanë qenë të vetmet që janë paguar nga buxheti i shtetit.
Me gjithë insistimin, në këtë institucion nuk treguan se kush e ka mbuluar financiarisht ushqimin për presidenten dhe për stafin e saj gjatë këtij qëndrimi.
“Zyra e Presidentes ju ka ofruar qasje në të gjitha drekat-darkat zyrtare gjatë vizitave, të cilave iu referoheni dhe rrjedhimisht nuk ka pasur shpenzime të tjera sipas kërkesës tuaj. Pagesa e çdo fature gjatë vizitave jashtë vendi realizohet konform rregullave të përcaktuara nga Thesari dhe legjislacioni në fuqi”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së Presidentes më 21 mars.
Pa u mbushur as një muaj nga vizita e shtatorit, presidentja Osmani udhëtoi sërish për në SHBA.
Kësaj radhe në New York qëndroi dy ditë. Të dhëna mbi dreka e darka për këtë kohë qëndrimi nuk u ofruan nga Zyra e Presidencës.
Për të dyja udhëtimet, KOHA kërkoi sërish sqarime shtesë, por as kësaj here nuk i mori.
Përgjigja ishte e njëjtë. Në të thuhet se janë ofruar të gjitha të dhënat e kërkuara dhe se shpenzime tjera nuk janë bërë.
“Zyra e Presidentes ju ka ofruar qasje, në të gjitha shpenzimet e realizuara duke përfshirë përcjelljen e të gjitha faturave për drekat-darkat zyrtare gjatë vizitave të cilave iu referoheni dhe rrjedhimisht, siç ju kemi njoftuar në email-in e datës 22.03.2024, nuk ka pasur shpenzime të tjera sipas kërkesës tuaj. Pagesa e çdo fature gjatë vizitave jashtë vendi realizohet konform rregullave të përcaktuara nga Thesari dhe legjislacioni në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Presidencës më 15 maj.
Dy vizitat e presidentes Osmani në SHBA, i kushtuan buxhetit të Kosovës 51 mijë e 772 euro e 84 cent.
Në shtator të vitit të kaluar, Osmani e gjashtë këshilltarët e saj shpenzuan mbi 41 mijë euro, ndërsa rreth 11 mijë euro në tetor kur udhëtoi me dy këshilltarë.
Në SHBA, gjatë shtatorit Osmani qëndroi 9 ditë, derisa pesë këshilltarët e saj nga 7 deri në 19 ditë. E, në tetor, vizita e Osmanit dhe dy këshilltarëve të saj ishte më e shkurtër. Vetë presidentja qëndroi dy ditë, derisa njëri nga këshilltarët e saj edhe një ditë më shumë.
Nga mbi 41 mijë eurot e shpenzuara për vizitën e zhvilluar në shtator, mbi 28 mijë e 700 euro kanë shkuar për akomodim e rreth 11 mijë për bileta. Krahas tyre, rreth 1 mijë e 500 euro janë shpenzuar për dy dreka zyrtare, shpenzime të internetit e për taksi.
Ndërkaq, gjatë vizitës në tetor në New York, gati 3 mijë euro janë shpenzuar për akomodim e rreth 8 mijë euro për bileta.