Policia e Kosovës, në raportin 24-orësh të lëshuar të martën e përmend policin e përfshirë në rastin e së dielës si viktimë. Mirëpo Asdren Hoxha, avokati i të plagosurit 28-vjeçar në Mramor, e pretendon të kundërtën. Me gjithë mospajtimet në versione, Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se prokurori i shtetit ka udhëzuar hapjen e rastit penal ndaj dy qytetarëve të përfshirë në rast, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe për “armëmbajtje pa leje”
Versione përplasëse rreth një plagosjeje të dyfishtë në fshatin Mramor të Prishtinës janë dhënë nga Policia e Kosovës dhe nga përfaqësuesi ligjor i njërit prej të plagosurve.
Një 22 dhe një 28-vjeçar dyshohet se kanë pësuar lëndime trupore gjatë së dielës në afërsi të liqenit të Badovcit nga një zyrtar policor, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare.
Në raportin e përpiluar nga Policia është bërë e ditur se polici i përfshirë në ngjarje ishte viktimë porse të kundërtën e pretendon Asdren Hoxha, avokati i 28-vjeçarit të plagosur.
“Këtu nuk ka karakter ndëretnik. Këtu është përgjegjës polici, i cili ka shtënë mbrapa 11 herë, në drejtim të të dy të rinjve shqiptarë që vetëm zoti i ka shpëtuar. Them kategorikisht se në qoftë se të shtënat për 11 herë që kanë goditur në kokë nuk përbëjnë veprime të kundërligjshme nga një polic që ka vepruar krejtësisht kundër autorizimeve policore dhe në kundërshtim me Ligjin për policinë, atëherë nuk e di se çfarë duhet të ndodhë që të zhvillohet një procedurë ndaj tij”, ka thënë Hoxha.
Ndonëse plagosja kishte ndodhur të së dielës, rasti në raportin 24-orësh të Policisë është përfshirë tek të martën. Aty është njoftuar se dy burra të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, i cili është përshkruar si zyrtar policor.
“Po ashtu me të shtëna armësh i është kundërpërgjigjur edhe zyrtari policor, ku si pasojë, dy të dyshuarit janë plagosur dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 15 gëzhoja, ndërsa në fshatin Mramor është gjetur motoçikleta e të dyshuarve dhe arma e tipit ‘Zoraki’, pa fishekë. Rasti është duke u hetuar”, është bërë e ditur në raportin që Policia e Kosovës e përpilon përditë.
Avokati Hoxha ka thënë se rasti nga mediat dhe strukturat serbe është shfrytëzuar për propagandë, për shkak se polici ishte i shoqëruar nga një grup serbësh gjatë nisjes së konfliktit verbal që më pas përshkallëzoi me të shtëna armësh.
“Kjo çështje nuk ka karakter ndëretnik dhe aq më tepër nuk duhet të përdoret, siç është përdorur nga zyra e ashtuquajtur e Kosovës dhe Metohisë, ku drejtori i saj deklaron se politikanët e saj me deklarime dhe qëndrime nacionaliste vizatojnë caqet në ballin e të rinjve serbë dhe pastaj kinse shqiptarët e motivuar sulmojnë serbët, gjë që absolutisht nuk është e vërtetë, duke pasur parasysh që nesër fillon dialogu Prishtinë-Beograd në Bruksel dhe është shumë e padrejtë që kjo të përdoret në kontekst negativ”, është shprehur Hoxha.
Ai ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e dy të rinjve të plagosur nuk është e mirë, ndërsa ka dhënë ultimatumin që nëse institucionet përgjegjëse nuk reagojnë deri të mërkurën, atëherë do të ndërmerren masa ligjore.
“Presim reflektim nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, nga Departamenti për Krime të Rënda, që të fillojnë hetimet zyrtare ndaj policit, i cili për mendimin tim ka kryer vepër klasike të vrasjes së rëndë në tentativë. Në qoftë se nuk ka reflektime, atëherë angazhimet tona do të vazhdojnë dhe sensibilizimi e alarmimi i organeve do të jetë edhe më i lartë”, ka paralajmëruar avokati.
Zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe ata nga Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk u janë përgjigjur gjatë së martës pyetjeve të KOHËS lidhur me saktësinë e pretendimit të familjarëve e avokatit të njërit nga të plagosurit. Por në një njoftim për medie të lëshuar më vonë gjatë së martës, IPK-ja ka bërë të ditur se prokurori i shtetit ka udhëzuar hapjen e rastit penal ndaj dy qytetarëve të përfshirë në rast, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe për “armëmbajtje pa leje”. Lidhur me zyrtarin policor SH.E, IPK-ja ka njoftuar se mbetet në cilësinë e dëshmitarit dhe se rasti do të hetohet nga Policia, në koordinim me IPK-në dhe prokurorin e shtetit.