Arbëri

Dy vëllezërit Sallahu përballen me inxhinierin që thotë se iu keqpërdor emri për një tender

Inxhinieri Nazim Musliu, i cili deri në 2022-tën ka pasur angazhim në kompaninë “SA Sallahu”, ka thënë se atij iu falsifikua nënshkrimi që ndodhet në dy dokumente të dosjes së tenderit për rrugën Prizren–Prevallë. Gjatë një seance gjyqësore, ai u përball me vëllezërit Sallahu, që akuzohen edhe për falsifikim

Vëllezërit Lulëzim e Naim Sallahu, që akuzohen se nëpërmjet mashtrimit, me kompaninë “SA Sallahu” fituan tenderin për rrugën Prizren–Prevallë, janë përballur në gjykatë me inxhinierin Nazim Musliu, i cili deri në 2022-tën ka pasur angazhim në kompani.

Musliu, i cili foli në cilësinë e dëshmitarit, tha se në dosjen e tenderit për këtë aktivitet prokurimi, i është falsifikuar nënshkrimi në një kontratë mbi vepër dhe në CV.

“A mund të na shpjegoni, nëse e dini se nga kush janë përpiluar dokumentet me të dhënat tuaja?”, ka pyetur prokurori Dren Paca.

“Për të dhënat personale ia kam shpjeguar gojarisht Sallahut, ndërsa përpilimin e ka bërë ai, por nuk është nënshkrimi im. Nuk kam qenë në dijeni lidhur me referencat që i ka shkruar, e as nuk kam qenë në dijeni lidhur me kontratën mbi vepër, e cila është lidhur në emrin tim”, ka thënë dëshmitari Musliu.
Ky dëshmitar u përball edhe me të akuzuarit.

Lulëzim Sallahu e pyeti nëse i kujtohej se a ka nënshkruar kontratë mbi vepër te noteri në vitin 2019.

“Nuk më kujtohet që kam nënshkruar kontratë”, ka thënë Musliu.

E, i akuzuari tjetër Naim Sallahu i është drejtuar me: “Ne kemi pasur disa herë takime për ecurinë e punëve në terren me ne?”.

Këtë e ka mohuar dëshmitari.

“Jo nuk jam takuar”, ka thënë Musliu.

Ai ka theksuar se kompanisë “SA Sallahu” ia ka dhënë të drejtën ta përdorë diplomën e tij në dosje tenderi, por theksoi se më pas as nuk ka firmosur dokumente si mbikëqyrës, dhe as nuk ka pasur ndonjë angazhim gjatë realizimit të kontratave.

“Ia kam dhënë diplomën për shërbimet, për të konkurruar në tendera. E kemi pasur një marrëveshje me pagesë prej 1200 euro në vit, në mënyrë që të njëjtit do të mund të aplikojnë në tendera”, ka thënë Musliu. “Përdorimi i këtyre dokumenteve me bën të ndihem i shfrytëzuar. Nëse nuk i kam nënshkruar këto dokumente, atëherë janë keqpërdorur se janë bërë pa dijeninë time”.

Në nëntor të 2023-tës, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj kompanisë “SA Sallahu” si person juridik, si dhe ndaj dy vëllezërve Sallahu.

Lulzim Sallahu akuzohet se në shtator të 2019-s, në cilësinë e pronarit të kompanisë, gjatë aplikimit në tenderin për rrugën Prizren–Prevallë, ka paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme, sikurse janë: CV-të dhe referencat në emër të katër personave, përfshirë dëshmitarin Nazim Musliu.

Ndërkaq, vëllai i tij, Naim Sallahu, akuzohet se ka përpiluar dhe nënshkruar referencat me përmbajtje të rreme.