Shërbimi Spitalor, Klinik, Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka njoftuar se dy, nga tre policët të cilët u lënduan kur automjeti i tyre zyrtar u vetaksidentua në Zveçan, pritet të lirohen në shtëpi, pas tretmanin mjekësor që kanë marrë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), përderisa njëri prej tyre pritet të operohet në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale.
“Trajtimin shëndetësor do të vazhdojë njëri nga të lënduarit që po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale, i cili aktualisht ka gjendje stabile shëndetësore dhe pritet që t'i nënshtrohet një operacioni”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e SHSKUK-së thuhet se polici që është operuar si rast urgjent në kërcin e gjurit, në Klinikën e Ortopedisë, është në gjendje stabile shëndetësore dhe në përkujdesje të stafit shëndetësor të kësaj klinike, dhe pritet të lirohet gjatë ditës së nesërme.
Ndërsa rasti tjetër që është trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, thuhet se pas trajtimit, pritet që gjatë ditës të lirohet në shtëpi, në gjendje stabile shëndetësore.