*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani"!
Dy nxënës nga Komuna e Lipjanit kanë pësuar thyerje gjymtyrësh e një nga Istogu mori lëndime në kokë, gjatë ekzekutimit të një sfide që është bërë virale në rrjetin social TikTok. Në shkolla thanë se lojërat po zhvillohen, ndonëse brenda objekteve ku realizohet mësimi, u janë ndaluar telefonat nxënësve. E, ka prindër që tashmë kanë gjetur zgjidhjen se si të kenë kontroll në pajisjet teknologjike që përdoren nga fëmijët e tyre
Te dera e shkollës, një grua, për të disatën herë lëshon videon, në të cilën shihet vajza e saj tek lëndohet, derisa bashkë me shokë të klasës, iu përgjigj një sfide me emrin “Supermeni”, që u bë virale në rrjetin social TikTok.
Në këtë sfidë, dy deri në tre persona tentojnë ta mbajnë personin tjetër që “fluturon” në krahët e tyre, por në disa raste ata më pas e rihedhin ose nuk e presin fare dhe personi bie në tokë.
Vajza 14 vjeçe nga Lipjani ka thyer dorën dhe ka marrë lëndime në kurriz gjatë ekzekutimit të lojës.
“Në bisedë e sipër me vajzën, e kam kuptuar që vajza ka qenë viktimë e po kësaj loje që bashkë me shoqet dhe shokët e klasës kanë qenë në kohë pauze ose kohë pushimi të shkurtër të orës, kanë qenë duke e sfiduar veten se a do të jenë ata që do të shpëtojnë nga sfida e Supermenit”, ka thënë gruaja, që foli në kushte anonimiteti.
Krahas saj, në të njëjtën sfidë, por në një shkollë tjetër, ka thyer dorën edhe një nxënës i Komunës së Lipjanit.
Jakup Bahtiri, i cili është drejtor në njërën nga shkollat ku ndodhi lëndimi, u bën thirrje institucioneve ta mbyllin TikTokun.
“Përdorimi i telefonave në shkollë është i ndaluar dhe ne, këtë hap e kemi marrë dhe nuk lejojmë që nxënësit të vijnë në shkollë me telefona, mirëpo këto lojëra po zhvillohen në shtëpi, prandaj në bazë të asaj që e shohin në TikTok e realizojnë dhe e zbatojnë në shkollë. Prandaj unë mendoj që institucionet shtetërore, kryesisht Ministria e Arsimit, të mendojë rreth kësaj çështjeje dhe të mbyllet TikToku rreptësisht”, ka thënë Bahtiri, i cili është drejtor në shkollën “Vëllezërit Frashëri”
Sfida është përhapur gjithandej komunave.
Një nxënëse e shkollës fillore “Martin Camaj” në Gurrakoc të Istogut ka pësuar lëndime trupore, pasi me disa nxënës të tjerë kanë luajtur sfidën “Superman”.
Ngjarja në Istog ka ndodhur të enjten gjatë pushimit të nxënësve, tregoi Mimoza Kabashi, e cila është drejtoreshë e shkollës.
“Rasti fillimisht është adresuar tek arsimtarja që ka pasur orë në atë klasë, e mandej tek unë. Dhe si shkollë kemi reaguar menjëherë për t’i dalë në ndihmë”, ka deklaruar ajo.
Drejtoresha Kabashi tregoi se e mitura mori trajtim mjekësor, meqë pati lëndime në kokë pasi kishte rënë në dysheme, e krahas saj, kishte edhe mundim, dridhej dhe ishte zbehur.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Istog u ka kërkuar shkollave të Komunës që javën e ardhshme të mbajnë sesion informues për nxënësit mbi përdorimin e rrjeteve online.
“Kërkoj nga ana juaj, si drejtorë, që nga e hëna e ardhshme (09.12.2024), në secilën klasë të shkollave tuaja të mbahet një sesion informues me nxënësit rreth përdorimit të rrjeteve sociale. Ditëve të fundit janë shfaqur një sërë problemesh që lidhen me përdorimin e rrjeteve sociale nga nxënësit e shkollave, gjë e cila nuk i kontribuon arsimimit të mirëfilltë të shkollave tona”, thuhet në njoftimin e Komunës.
E drejtori i Arsimit në Lipjan, Rasim Hasani, shtroi nevojën për angazhim nga mësimdhënësit e prindërit.
“Mësimdhënësit të jenë më aktivë dhe të bisedojnë me fëmijët. Në të njëjtën kohë ne apelojmë edhe te prindërit që të mos kenë qasje të madhe në telefon fëmijët gjatë qëndrimit në shtëpi”, ka thënë Hasani.
Psikologia Adela Bajrami thotë se adoleshentët e kanë shumë të vështirë ta ndajnë realitetin nga bota e rrjeteve sociale dhe vendosin t’i ndjekin trendet.
“Është moshë tepër e ndjeshme dhe fëmijët janë ende duke e ndërtuar të menduarit e tyre kritik, duke i ndërtuar aftësitë e tyre emocionale, ndonjëherë ndoshta janë edhe duke u ballafaquar me vështirësi të shumta që i sjell mosha siç janë ndryshimet në aspektin hormonal, në aspektin fizik dhe mandej e kanë shumë të vështirë për ta ndarë realitetin prej botës së medieve, prej rrjeteve sociale. Kështu që ato që ju duken normale edhe në trend me kohën, vendosin t’i ndjekin”, ka thënë psikologia Bajrami.
Në Ministrinë e Arsimit nuk iu përgjigjen pyetjeve të KOHËS për masat e mundshme, në funksion të kufizimit të qasjes së të rinjve në aplikacione të ndryshme.
E, ka prindër që tashmë kanë gjetur zgjidhjen se si të kenë kontroll në pajisjet teknologjike që përdoren nga fëmijët e tyre.
“Unë për fëmijët e mi e kam instaluar një aplikacion edhe mundem t’u lejoj në kohë të caktuar, në aplikacione të ndryshme. Do t’u propozoja të gjithë prindërve që t’i shkarkojnë ato aplikacione që ta kenë nën kontroll shfrytëzimin e aplikacioneve nga fëmijët e tyre”, ka thënë Yll Shala, i cili ka fëmijët në një nga shkollat ku nxënësit u lënduan gjatë realizimit të sfidës virale.
Përgjatë këtij viti është raportuar një numër i madh i rasteve të tjera të lëndimit a vetëlëndimit të nxënësve, gjatë realizimit të sfidave që shpërndahen në rrjete sociale.