Dy ish-kryeministra të Kosovës kanë shfaqur qëndrime të ndryshme rreth rëndësisë së vizitës së drejtorit të inteligjencës amerikane, William Burns. Përderisa Avdullah Hoti tha se Burnsi u detyrua të zbarkojë në Kosovë për shkak të politikave konfrontuese të Qeverisë Kurti me SHBA-në, Ramush Haradinaj theksoi se vizita është nder i madh dhe lajm i mirë për sigurinë.
Vlerësime të ndryshme për vizitën e shefit të inteligjencës amerikane në Kosovë, kanë dhënë dy ish-kryeministra të Kosovës, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Avdullah Hoti i LDK-së.
Hoti ka thënë se shefi i CIA-s u detyrua të zbarkojë në Kosovë për shkak të politikës konfrontuese të pushtetit aktual me SHBA-të.
“Për fat të keq të popullit të Kosovës, dogmat politike të Kurtit e Osmanit dhe konfrontimi i tyre me aleatët-garantuesit e sovranitetit të Kosovës për rendin e veprimeve në veri e kthyen Kosovën në çështje të sigurisë për NATO-n dhe BE-në, si dhe për aleatin kryesor të Kosovës, SHBA-në. Sigurisht se këtë situatë e përdori Serbia me tendencë për të krijuar një vatër të re krize në Evropë, siç dëshmohet me sulmin terrorist të 25 shtatorit 2023. Rrjedhimisht, shefi i CIA-s detyrohet të zbarkojë në Prishtinë. Ai do të duhej të zbarkonte në Bosnjë dhe Serbi, por jo në Kosovë”, ka thënë Hoti.
Hoti ishte zgjedhur kryeministër pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1 nga partneri i koalicionit LDK-ja, nën arsyetimin për prishje të raporteve me SHBA-të.
Ndodhi kjo gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, e cila insistonte ta shtyjë Kosovën dhe Serbinë drejt një marrëveshjeje për normalizim ekonomik.
Hoti në cilësinë e kryeministrit nënshkroi Marrëveshjen e zotimeve në Washington, dhe nga nga pak pikat e saj që janë zbatuar, është njohja e Kosovës nga Izraeli.
Ndryshe nga Hoti, ish-kryeministri Ramush Haradinaj tha se vizita e Burnsit është nder i madh dhe lajm i mirë për sigurinë e Kosovës.
“Institucionet e Kosovës duhet të qëndrojnë të palëkundura për aleancën me Amerikën. Takimet e drejtorit z. Burns me udhëheqësit e institucioneve, janë lajm i mirë për Kosovën. Sa i përket Kurtit dhe agjendës së tij, ia lëmë kohës ta dëshmojë, por askush nuk mund ta rrezikojë aleancën e Kosovës me Amerikën. Ajo është e përjetshme dhe jetike”, u shpreh ish-kryeministri Haradinaj.
Por vetë Haradinaj gjatë mandatit të tij si kryeministër, është ballafaquar me kërkesën konstante të SHBA-së për t’ia hequr taksën prej 100 për qind mallrave me origjinë nga Serbia. Ajo ishte vendosur si kundërpërgjigje ndaj fushatës diplomatike të Serbisë kundër Kosovës.