Arbëri

Dy fshatra në Mitrovicë prej tri javësh pa ujë, banorët protestojnë para Komunës

Rreth 70 shtëpi në fshatin Vidimriq dhe një lagje e fshatit Gushavc të Komunës së Mitrovicës së Jugut kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm që prej tri javësh, si pasojë e ndaljes së energjisë elektrike në pompat e ujit që i furnizojnë këto pjesë. Lidhur me gjendjen, banorët të enjten kanë protestuar para objektit të Komunës. E në Komunën e Mitrovicës e kanë bërë premtimin për gjetjen e një zgjidhjeje

Mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm që prej tri javësh ka bërë që banorë të fshatit Vidimriq dhe të një lagjeje në fshatin Gushavc të protestojnë të enjten para objektit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, për të kërkuar zgjidhje për problemin.

Pa furnizim me ujë kanë mbetur afro 70 shtëpi të këtyre fshatrave.

E banorët e tyre kanë thënë gjatë protestës se kjo gjendje i ka përballur me vështirësi të shumta, veçanërisht gjatë ditëve të fundit kur ka mbajtur mot i ftohtë.

“Janë 37 shtëpi në fshatin Vidimriq dhe lagjja e Gushavcit me 31 shtëpi. Kështu që ne kemi qenë nëpër institucione: ujësjellës, Komunë, KEDS-i na e ka ndërprerë rrymën te pompat, nuk kemi ujë që tri javë ditë. Shkolla pa ujë, nxënësit pa ujë”, është ankuar Musah Behrami, i cili është banor i fshatit Vidimriq në komunën e Mitrovicës.

E banori i fshatit Gushavc, Smajl Zeka, ka kërkuar intervenim të shpejtë të Komunës.

“Qysh në vitin 2025 me mbetë ne pa ujë në këtë kohë? Nga Komuna kërkojmë veç të intervenojë në ujësjellës. T’i vendosë pompat siç duhet, ta bëjë pagesën secila shtëpi dhe ujin ta lëshojnë”, është shprehur ai.

Banorë të dy fshatrave kanë treguar se kanë kërkuar ndihmë nga institucionet, porse prej tyre ende nuk u është bërë një zgjidhje.

“KEDS-i e ka bërë shkyçjen e rrymës nga pompat e ujësjellësit. Kanë thënë për shkak të borxhit. Kur kemi shkuar në ujësjellës na kanë thënë që kjo pompë nuk ka pronar, na thanë që pronar duhet të jetë Komuna. Kemi qenë në Komunë, Komuna e fajësoi ujësjellësin”, ka theksuar Fidan Behrami, banor i fshatit Vidimriq.

Granit Tmava, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në Komunën e Mitrovicës, ka thënë se janë duke u bërë përpjekje që ky problem të marrë zgjidhje.
“Si komunë jemi duke luajtur me të gjitha mundësit që ne i kemi në favor të banorëve, që atyre t’u kthehet furnizimi me ujë. Është problemi mes KEDS-it rreth një obligimi dhe ujësjellësit”, ka thënë ai.

E kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Bashkim Kurti, ka theksuar se ujësjellësi nuk e ka ndalur furnizimin me ujë për këto fshatra.

“Ne ujin nuk e kemi ndalur, ujë ka. Problemi është te pompat që nuk kanë rrymë, për shkak se KEDS-i e ka ndalur. Kur ta marrim në menaxhim ne pompën, është përgjegjësi e jona. Jemi duke punuar. Nëse të gjitha gjërat shkojnë mirë, deri më 1 prill gjithçka të jetë nën kontrollin tonë”, ka theksuar Kurti për KOHËN.

E në Kompaninë e Distribuimit të Energjisë Elektrike (KEDS) kanë thënë se furnizimi me energji elektrike është ndërprerë, për shkak të borxheve të papaguara dhe të lidhjeve ilegale në rrjet.

“Bëhet fjalë për shkyçje nga rrjeti elektrik nga KEDS-i, meqë disa konsumatorë në fshatrat në fjalë nuk i kanë shlyer borxhet ndaj kompanisë dhe janë lidhur ilegalisht në rrjetin elektrik shpërndarës. Për më tepër, njehsorët elektrikë nuk i kanë të regjistruar fare”, ka theksuar Lulzim Krasniqi, zëdhënës në KEDS.

Banorët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta deri në zgjidhjen e problemit.