Ankesa e një operatori ekonomik kundër Policisë së Kosovës ka ngritur dyshime që operatori ekonomik i rekomanduar si fitues i tenderit rreth 11 milionë eurosh për furnizim me uniforma, ka të falsifikuara certifikatat e kualitetit.
E dy operatorë ekonomikë përmes ankesave të ndryshme pretendojnë që Policia e Kosovës ua ka kufizuar qasjen në informatat e operatorit ekonomik të rekomanduar si fitues.
Një pretendim i tillë është i përfshirë në raportin e ekspertizës së ekspertëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Kjo kompani po kërkon nga Policia e Kosovës që t’ua dorëzojë komunikimet për konfirmimin e certifikatave që janë dorëzuar si pjesë e ofertës.
“Kemi dyshim të bazuar se arsye e mosofrimit të komunikimeve nga ana e Prokurimit me laboratorët dhe trupat certifikuese është fakti se disa certifikata të operatorit të rekomanduar për kontratë kanë rezultuar false dhe me të dhëna të pasakta”, thuhet në ankesë.
Ndonëse ankesa është konsideruar e bazuar për pika të tjera dhe grupi i ekspertëve të OSHP-së kanë kërkuar anulimin e këtij tenderi, siç ka raportuar KOHA, pretendimi për dyshime për falsifikim nuk është trajtuar fare.
Edhe operatori i dytë ka thënë se Policia e Kosovës nuk po u lejon qasje të mjaftueshme në dokumentet përcjellëse të ofertuesit të suksesshëm.
Arsyetimi që e ka përdorur Policia për kufizim të informatave është që në dokumentet e kërkuara ka informata që klasifikohen si sekrete afariste.
Por ekspertiza e OSHP-së i ka dhënë të drejtë kompanisë. Ka argumentuar që jo çdo gjë që e cilëson një biznes në një tender publik si sekret afarist është i tillë.
“Sipas legjislacionit në fuqi, dokumentet të cilat deklarohen si sekrete afariste nga ana e operatorëve ekonomikë, të njëjtat cilësohen të tilla vetëm pasi të jenë të pranuara si sekrete afariste edhe nga ana e Autoritetit Kontraktues (AK)”, thuhet në ekspertizën e OSHP-së. “Nga kjo çfarë u sqarua më lart, eksperti vlerëson që AK-ja duhet të krijojë një version të pastruar të dokumenteve, sekret afarist duhet të mbesin të gjitha ato dokumente apo të dhëna për të cilat edhe vetë Autoriteti Kontraktues është bindur se me të vërtetë, shpërndarja e tyre tek operatorët e tjerë mund të shkaktojë çfarëdo dëmi për operatorin ekonomik të rekomanduar”.
Edhe ekspertiza për operatorin e dytë që është ankuar për këtë tender ka rekomanduar që ky proces duhet të anulohet plotësisht për shkak të shkeljeve të mëdha.
Në Polici nuk janë përgjigjur konkretisht në pyetjet e KOHËS për këtë çështje, por kanë thënë se Drejtoria e Prokurimit u është përgjigjur ekspertizave të ekspertëve shqyrtues dhe ato i ka adresuar në OSHP.
Nenet 10 e 11 të Ligjit të Prokurimit Publik sigurojnë transparencën në sigurimin e informatave për palët e interesuara në lidhje me procedurën.