Arbëri

Dy ditëlindjet e ushtarit

Foto: Koha

Abdullah Musliu feston për një ditë “lindjen” e shtetit të Kosovës dhe ditëlindjen e tij. “Nuk mund t’i numëroj urimet dhe postimet. Dhe u jam mirënjohës dhe iu shpreh falënderime të gjithëve. Marr urime përmes telefonit, rrjeteve sociale, Instagramit”, thotë ai. “Sigurisht që i bie se krejt e festojnë ditëlindjen time, por fatmirësisht nuk është vetëm ditëlindja ime”

17 Shkurti është ditë e festës së dyfishtë për Abdullah Musliun nga Reçaku. Në ditën kur Kosova feston dymbëdhjetëvjetorin e Pavarësisë, ish-ushtari i UÇK-së mbush 46 vjet. Kremtja e shpalljes së Pavarësisë mbetet më e veçanta në jetën e tij, edhe pse ishte një e diel e ftohtë, por me rreze dielli.

Pakkush e kishte ditur datën e saktë të shpalljes së mëvetësisë. Shumëkush kishte spekuluar pse liderët e vendit kishin ndarë mendjen ta shpallnin Kosovën shtet të pavarur në një ditë fundjave. Në rrethin e shoqërisë së Musliut, atëherë pjesëtar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ish-bashkëluftëtarët e kolegët e punës me humor do ta lidhnin datën e “lindjes” së shtetit më të ri në botë me ditëlindjen e Musliut.

“Ti ke pasë diçka me Hashimin”

“Ka pasur raste, por unë nuk ia la qysh me ia thanë vetes atë vlerë, ka raste kur në mënyrë humoristike më thonë ‘ka diçka Pavarësia me ditëlindjen tane’”, tregon Musliu para varrezave të dëshmorëve poshtë kazermës “Skënderbeu”, në dalje të Ferizajt. “Por unë nuk e ndërlidh me këtë, sepse unë kam qenë një faktor i vogël, sepse unë kam qenë vetëm ushtar. Por me humor shpesh më thonë shoqëria se është e ndërlidhur, sepse ‘ke pasë ti diçka, ke pasë diçka me Hashimin, me Ramushin, ke pasë kontakte ti’, domethënë në mënyrë spontane, në mënyrë humoristike e ndërlidhin me ditëlindjen time”.

Shprehja “Hashimi e di datën” ishte njëra prej shprehjeve më të përfolura publikisht e privatisht krahas diskutimeve serioze për sfidat e dimrit të vitit 2008 para se Kosova do të pavarësohej nga Serbia bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Thaçi, pak muaj pasi ishte zgjedhur kryeministër, ia kishte marrë anën ish-presidentit Fatmir Sejdiu, duke lexuar Deklaratën e Pavarësisë. Kundërthëniet mbetën në hije të festës së madhe. Sheshet vlonin nga festimet e ndryshme pa ndonjë organizim të mirëfilltë institucional.

“Atë ditë kam qenë në Kuvendin Komunal të Shtimes, e kemi përcjellë shpalljen, dhe festimet kanë qenë prej krejt njerëzve. Por në mbrëmje kemi festuar në një restorant qysh e kemi traditë na, me shokë, familjarë, familjarë të dëshmorëve me muzikë, me shahira”, kujton Musliu, i cili punon në administratën e FSK-së. Shpesh, mbrëmjeve me çiftelinë e sharkinë ia thotë këngës nëpër ndeja miqsh. Derisa Musliu kthehet viteve nëpër kohë para varreve të ish-bashkëluftëtarëve, këngëtari Gold Ag para lapidarit në krye të shpatit xhiron skena videoklipi të një kënge kushtuar një dëshmori të UÇK-së.

Image

Festat “spontane” të paraluftës

Musliu rrëfen në mënyrë kronologjike ditëlindjet e tij. Thotë se para luftës nuk u kishte kushtuar rëndësi të madhe ditëlindjeve. Prindërit e katër djemve dhe katër vajzave – një motër do t’i vdiste në rini – nuk kishin kushedi çfarë mirëqenie ekonomike. Thotë se sikurse shumica e bashkëmoshatarëve të tij nuk u kishte kushtuar rëndësi të madhe festave të ditëlindjes.

“Është festë e rëndësishme por, megjithatë, nuk ka pasur festë duke pasur parasysh kushtet dhe rrethanat në të cilat jemi rritur atëherë”, thekson Musliu. “Në mënyrë spontane e kujtoj me shokët e klasës në shkollë, me ndonjë pije të thjeshtë, ose me ndonjë mënyrë të thjeshtë. Ashtu edhe në shkollë të mesme, ose edhe pas shkollës së mesme, thjesht. Nuk ka pasur rëndësi të madhe, meqë skamja ishte aq e madhe dhe rrethanat ishin të atilla dhe më shumë kanë pasur rëndësi çështjet e tjera se ditëlindja”, shton Musliu, baba i fëmijës së vetëm, Kushtrimit 19 vjeç.

Ai thotë se më 1997 tashmë kishte vënë kontaktet e para me celulat e UÇK-së para se të radhitej në krahët e saj në prillin e vitit 1998 në Drenicë. “Ka qenë viti ‘97 kur unë kam rënë në kontakt për herë të parë me UÇK-në dhe unë kam pasur djalin e axhës, komandant Çerçizin, i cili ka qenë strukturë prej celulave të para. Përmes tij i kam vendosur kontaktet me UÇK-në, atëherë, të themi se kam vënë kontaktet dhe kemi kryer ndonjë detyrë”.

Me “disa krisma” në 17 shkurtin e ’99-s

Pas masakrës së Reçakut në 15 janarin e vitit 1999, shumë ushtarë të UÇK-së ranë duke luftuar për mbrojtjen e 45 viktimave civile. Forcat serbe ia dolën të hynin në fshat dhe të merrnin kufomat e mbledhura nga të mbijetuarit dhe bashkëfshatarët në xhaminë e fshatit – në minaren e saj gjithnjë valon flamuri kombëtar. Dhjetëra e mijëra qytetarë të trevave të ndryshme do të merrnin pjesë në varrimin e civilëve në ditën e 11 shkurtit. Musliu thotë se po mundohej të merrte veten pas humbjes së kushërinjve, bashkëfshatarëve e bashkëluftëtarëve. Më 17 shkurt kishte ditëlindjen. Ishte kohë zie e krenarie. Për rrethanat e ditëlindjes do të flisnin në istikame, gjurmët e të cilave shihen edhe sot mbi fshat, ku ndodhet Kulla e kujtesës. Aty ruhen fotografitë dhe gjërat personale të viktimave të Reçakut dhe të dëshmorëve të mbledhura nga Musliu dhe Nexhmedin Jakupi, ish-ushtari i UÇK-së, tani ciceron i Kullës. Musliu ishte iniciator i kullës-muze. Në odë, në katin e dytë, u këndohet heronjve shqiptarë.

Jo fort larg kurrizit të kodrës, Musliu po bënte rojë në 17 shkurtin e vitit 1999. “Festimin që e kam organizu, mund të them se me shokë në vijë të frontit e kemi pasur bisedë. Kam tregu se ditëlindja ime është sot, dhe aty në mënyrë spontane, më kanë thënë: Urime! Urime! Kjo ka qenë. Ka mundur me ndodh ndoshta ndonjë krismë për qejf nga shokët në shenjë respekti, por jo diçka të organizuar, ceremoni diçka festive nuk ka pasur”.

Dy festa për një ditë

Në Kosovën e lirë edhe Musliu do të festonte me familje e miq ditëlindjen çdo vit. “Megjithatë kushtet ekonomike nuk kanë qenë edhe të mira, sepse kam jetuar me një rrogë shumë të vogël në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, por megjithatë e kemi festuar në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Festë e madhe do të organizohej në 17 shkurtin e 2008-s. Ish-asamblisti dhe ish-kandidati për deputet i PDK-së do ta kujtojë përjetësisht atë ditë. “Ka qenë një kënaqësi e veçantë, sepse lidhej edhe data me pavarësinë e Kosovës. Ka qenë shumë interesante”, thekson ai. Era e lehtë valon flamurin kuqezi dhe flamurin-emblemë të UÇK-së vendosur në shtegun midis kompleksit të varrezave të dëshmorëve.

“E veçanta ishte se ditëlindja ime rastis me Pavarësinë e Kosovës, domethënë më 17 shkurtin 2008 dhe mori përmasa më të veçanta. Mori përmasa më të mëdha, dhe nga ajo kohë mendoj se e feston gjithë shqiptaria (qeshet v.j.) lindjen e shtetit të Kosovës, por njëkohësisht edhe ditëlindjen time”, shton ai. “Shoqëria, rrethi i punës e dinë të gjithë që e kam ditëlindjen më 17 shkurt, dhe unë ndihem jashtëzakonisht krenar që e kam ditëlindjen më 17 shkurt”.

Teksa nxjerr nga xhepi i brendshëm i palltos fotografi me bashkëluftëtarë, shpreh mirënjohje për të gjithë ata që ia urojnë përnjëherë çdo 17 shkurt dy festat. “Nuk mund t’i numëroj urimet dhe postimet. Dhe u jam mirënjohës dhe iu shpreh falënderime të gjithëve. Marr urime përmes telefonit, rrjeteve sociale, Instagramit”, thotë ai. “Sigurisht se i bie se krejt e festojnë ditëlindjen time, por fatmirësisht nuk është vetëm ditëlindja ime”.