Arbëri

Dy dëshmitarë nga Serbia mbrojnë Arsiqin e akuzuar për krime lufte

Dy dëshmitarë të ardhur nga Serbia dhanë dëshmitë lidhur me ngjarjet e vitit ’99, kohë kur i akuzuari për krime lufte, Nenad Arsiq, thuhet se kishte kryer krime lufte në Kosovë.

I ftuar nga mbrojtja për të dhënë dëshminë e tyre këtë të enjte ishte çifti Shusharoviq nga fshati Novosellë. Çifti Shusharoviq nuk mundi të jepte përgjigje të sakta lidhur me vendndodhjen, në atë kohë, të të akuzuarit, ndonëse pretendohej se për ditën kur ai akuzohet për krimet e kryera, ai ndodhej në fshatin e motrës së tij duke marrë pjesë në një festë ortodokse.

“Unë e njoh përmes motrës së tij. Ata e festojnë Nikollën e Shenjtë më 21 maj dhe ai ka ardhur atje në festë. Këtë ditë e mbaj mend shume mirë, meqë ka ndodhur konflikti i armatosur. Ai ka ardhur shpesh në festa, gjithmonë ka ardhur. Ai më 21 maj 1999 ka qenë në këtë festë, ndonëse është moti, por e mbaj mend pasi që atëherë kanë filluar bombardimet. E kam thirrur në kafe ditën e dytë të festës”, ka thënë Milovoje Shusharoviq, raporton KOHA.

Më tutje Shushuroviq është marrë në pyetje nga trupi gjykues lidhur me atë se nëse ishte në dijeni që i akuzuari Arsiq ishte i uniformuar dhe pjesë e policisë serbe.

“Nëna e tij dhe ky kanë qëndruar në Kosovë. Ai ka punuar në Kosovë si polic dhe e di që kur ka ardhur nga Banja e Nishit, ka ardhur në uniformë. Policia më duket që ishte zhvendosur në Banjë të Nishit”, ka thënë tutje Shusharoviq.

Dëshmitarja tjetër, bashkëshortja e Shusharoviqit, tha se ata me motrën e të akuzuarit njihen që nga viti 1986 dhe se i akuzuari më datat 21 dhe 22 maj ishte në Serbi, në shtëpinë e motrës së tij.

“Ai ka ardhur në festë në mbrëmje, sepse tek nuk festohet në mbrëmje dhe ai atë natë ka qëndruar të motra e tij. Nesër kemi pi kafe së bashku ai ka qenë në mëngjes tek ne. Festa e Shën Nikollit është me 21 dhe 22 maj. Ata vijnë me 21 pasi ata festojnë në mbrëmje para ditës së festë. Nuk e di saktë sa ditë ka qëndruar”, është shprehur Nada Shusharoviq.

Në seancën e radhës të planifikuar për muajin nëntor pritet të dëgjohet me propozim të Prokurorisë Specialë një zyrtar policor, i cili kishte marrë pjesë në identifikimin e të akuzuarit.

Prokuroria Speciale e akuzon Nenad Arsiqin se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 21 maj 1999, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave dhe pasurisë.

Sipas aktakuzës, Arsiq me dashje ka vepruar në mënyrë çnjerëzore dhe ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të të dëmtuarve, duke i rrahur për një kohë të gjatë me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar vuajtje dhe dëmtime të rënda trupore, duke i fyer dhe sharë, si dhe me dashje ka marrë pjesë në poshtërimin dhe trajtimin çnjerëzor të të dëmtuarit Jakup Shala, i cili edhe pasi e kishte lënduar rëndë, e detyroi me forcë të konsumonte alkool dhe të këndonte këngë serbe.