Dy nga ambasadorët e rinj të propozuar kishin gradën më të ulët në kategorinë e Stafit të Lartë Diplomatik. Faruk Ajeti dhe Jetmira Bërdynaj ishin Sekretarë të Parë, e tek pas propozimit që ata të bëhen ambasadorë, Komisioni i Gradave të dy i ka avancuar në gradën: Këshilltarë. Ministria dhe as diplomatët që janë të pritje të bëhen ambasadorë, nuk kanë folur për këtë proces.
Është finalizuar një konkurs brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, nëpërmjet të cilit inkurajoheshin zyrtarët të aplikonin për grada diplomatike.
Ai është mbyllur dhe burime në këtë Ministri thonë se ka qenë vetëm formal, sa për t’ua rritur gradat dy prej anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm që do të bëhen ambasadorë.
“Ishin rreth 200 aplikime dhe vetëm një numër i vogël janë shqyrtuar. Siç është pritur, këtë javë janë nënshkruar gradat e Komisionit”, ka thënë ky burim. “Nga Sekretarë të Parë, Faruk Ajeti dhe Jetmira Bërdynaj janë avancuar në gradën: Këshilltar. Pra, propozimet që ata të emërohen ambasadorë ishin bërë para se të gradoheshin”.
Grada: Sekretar i Parë që kishin dy të propozuarit për ambasadorë, është më e ulëta në kategorinë e Stafit të Lartë Diplomatik. Para saj janë gradat: Këshilltar, Ministër-Këshilltar dhe Ministër.
Por, duke qenë vetëm Sekretar i Parë, për në Gjermani është propozuar ambasador Faruk Ajeti. Ai ka punuar në misione diplomatike, ndërsa prej një viti ka qenë në pushim pa pagesë, kohë gjatë së cilës kryesisht ka vepruar në Austri.
Duke pasur të njëjtën gradë, edhe Jetmira Bërdynaj është propozuar për ambasadore në Australi. Ajo ka qenë e angazhuar në Konsullatën në Stamboll, pastaj në misionin konsullor në Bruksel, e nga marsi në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
E, sipas Burimeve të KOHËS, përpos Ajetit e Bërdynajt, vetëm edhe 6 anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm u janë dhënë grada të reja, nga rreth 200 sa kishin shprehur interesim.
Në Ministri prej një jave nuk kanë ofruar informacione mbi vendimet e marra nga Komisioni për Grada dhe as nuk kanë treguar emrat e atyre që kanë fituar nga vendimet e Komisionit.
Ndërkaq, në Presidencë thanë se propozimet për ambasadorë janë përcjellë te vendet pritëse.
“Emërimi i ambasadorëve është në proces, në pritje të marrjes së agremanit nga shtetet pritëse. Deri sa të merret agremani formalisht, procesi mbetet në besim, në përputhje me ligjet në fuqi”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Vjosa Osmani.
Autoritetet kosovare i kane bërë gati emrat e ambasadorëve për t’i vendosur në 14 misione diplomatike. Në mesin e tyre janë edhe Faruk Ajeti dhe Jetmira Bërdynaj. Asnjëri nga ta nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS përkitazi me gradimet.
Në maj, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, vendosi t’i shkarkonte të gjithë ambasadorët e zgjedhur me çelës politik. Ndonëse koha e fundit kur duhej të ktheheshin në Prishtinë ishte fundi i gushtit, Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca ende nuk i kanë finalizuar të gjitha procedurat për emërimin e shefave të rinj të misioneve diplomatike.