Arbëri

Duplifikim i projekteve të strehimit në Gjilan

Komuna e Gjilanit ka planifikuar që brenda dy vjetësh me grant të Qeverisë t’i ndërtojë dy strehimore për fëmijë dhe të moshuar. Projektet janë planifikuar, ndonëse në këtë komunë që nga 2021-ta është i përfunduar kompleksi i ndërtesave për këto kategori, por i cili mbahet nën dry. Përfaqësues të partive opozitare i vlerësuan të pakuptimta iniciativat e qeverisjes lokale

Derisa hapësirat e “Fshatit të lumtur” të parapara për fëmijë e persona të moshuar qëndrojnë të pashfrytëzuara qe tre vjet, Komuna e Gjilanit parasheh të nisë dy projekte të reja të dedikuara për këto kategori.

Projektet janë listuar në buxhet tek investimet kapitale të financuara nga granti qeveritar dhe njëri është planifikuar të përfundojë deri në 2025-n e tjetri deri në 2026-n. 

Përfaqësues të partive opozitare në Gjilan e vlerësuan të panevojshëm investimin që ka kosto rreth 905 mijë euro.

“Nuk ka kuptim me u duplifiku edhe çështja e shtëpisë së pleqve apo e fëmijëve të braktisur apo diçka. Objektet ekzistojnë, projektet ekzistojnë, tash më nuk ka kuptim me planifiku me ndërtu një tjetër, kur veç e kemi një edhe për nevoja të tjera”, ka thënë Avdyl Aliu, shef i Grupit të Këshilltarëve Komunalë të Lidhjes Demokratike në Gjilan.

E në partinë që deri vjet ka bashkëqeverisur me Vetëvendosjen në Gjilan, thanë se Komuna ka paguar 155 mijë euro nga totali i buxhetit të paraparë për këto projekte, ndonëse ato nuk kanë nisur.

“Kjo për neve është shqetësuese, sepse për një projekt që nuk ka nisur apo nuk ka ekzistuar as fare koncepti fillestar i projektit, të paraqiten si shpenzime, për besë nuk e di si ta quaj këtë gjë. Ndoshta është guxim i tepruar, ndoshta pamaturi, ndoshta edhe mund të ketë lëshim, nuk e di”, ka thënë Aurora Osmani-Buca, nënkryetare e Degës së Partisë Demokratike në Gjilan.

E në Kuvendin Komunal bënë të ditur se çështja e të dy projekteve është ngritur nga asamblistët disa herë dhe se përfaqësues të ekzekutivit nuk kanë ofruar sqarime. 

“Zakonisht prej shumë pyetjeve ekzekutivi e praktikon, është një praktikë jo fort e mirë në Gjilan, ku jep versionin e tyre duke u thënë këshilltarëve se përgjigjet ua kthej me shkrim. Në fakt këshilltarët ankohen në përgjithësi se përgjigjet nuk i marrin fare”, ka thënë Kushtrim Kadriu, kryesues i Kuvendit Komunal.

Përfaqësues të ekzekutivit në Komunën e Gjilanit prej një jave nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet për të dyja projektet.

KOHA raportoi javën e shkuar se një projekt tjetër, ai i “Fshatit të lumtur”, ka mbetur i pashfrytëzuar prej tre vjetësh, kur në të përfunduan punimet ndërtimore. Kompleksi i nisur më 2017 ishte i destinuar për strehimin e fëmijëve të braktisur e disa grupeve të ndjeshme të shoqërisë.