Me mesazhe për Serbinë, që po mohon gjenocidin në Srebrenicë, krerët institucionalë kanë përkujtuar vrasjen e mbi 8 mijë e 300 djemve e burrave 27 vjet më parë. Reagimet e liderëve të shtetit e të opozitës u shprehën në rrjete sociale, teksa u kërkua drejtësi për vrasjet e krimet e kryera në Ballkan.
8 mijë e 372 djemtë e burrat boshnjakë të vrarë 27 vjet më parë në Srebrenicë, janë kujtuar edhe nga krerët institucionalë e ata opozitarë në Kosovë.
mesazhe për unitet kundër përpjekjeve për mohimin e këtij gjenocidi, ata thanë se Serbia ka lënë njolla të pashlyeshme në Ballkan.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në Twitter, tha se nuk duhet lejuar lavdërimi i “këtyre mizorive të tmerrshme”.
“27 vjet pas gjenocidit të Srebrenicës, ne kujtojmë 8372 djemtë dhe burrat boshnjakë të vrarë pa mëshirë nga forcat serbe. Sot, zemrat tona janë me të dashurit e tyre. Ne të gjithë duhet të jemi të bashkuar kundër përpjekjeve për të lavdëruar ose mohuar këto mizori të tmerrshme”, ka thënë Osmani.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ajo që ka ndodhur në Srebrenicë në vitin 1995 nuk është asgjë më pak se gjenocid, dhe ai paturpshëm po mohohet nga Serbia.
Kurti tha se Serbia paturpshëm po e mohon gjenocidin në Srebrenicë.
“E çka ka ndodhur në Srebrenicë para 27 vjetëve nuk është asgjë më pak se gjenocid. Asgjë më pak se shënjestrim i qëllimshëm i viktimave për shkak të ekzistencës së tyre. Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi i Srebrenicës është i shumëfishtë. Ai shkon përtej 8273 burrave dhe djemve të vrarë. Përtej 30 mijë fëmijëve e pleqve të abuzuar e të shpërngulur me dhunë. Dëmi i shkaktuar transferohet secilin vit te dhimbja e nënave. Lotët e motrave. Traumat e përjetuara. Vuajtjet e pakontrolluara”, ka thënë Kurti.
Për dhimbjen e mbi 8 mijë familjeve, në Bosnjë-Hercegovinë në rrjete sociale shkruan edhe liderët e partive opozitare.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kriminelët serbë që shkaktuan vdekjen e mijëra njerëzve në Ballkan, vazhdojnë të jenë të lirë, teksa Lumir Abdexhiku, kryetar i LDK -së, shkroi se ekzekutuesit e mbi 8300 djemve e burrave tani kanë një trashëgimi të fortë në Serbi.
“Vajza e familjes Muhiç, e lindur më 13 korrik 1995, dhe Saha Izmirliç, e lindur më 1901, janë viktimat më të reja, respektivisht më të vjetra, të gjetura në varrezën masive të Potoçarit. I njëjti mentalitet sistematik, i orkestruar e gjakatar serb, i ngritur mbi vdekjet e përndjekjet, me karakter të pastër gjenocidial e duke mos kursyer askënd, u realizua edhe në Kosovë më 1998-99. Fatkeqësisht, qindra kriminelë serbë që sollën shumë vdekje e shumë dhimbje në Ballkan, vazhdojnë të enden të lirë, pa marrë asnjëherë dënimin e merituar”, ka shkruar Krasniqi.
E lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përmendur edhe regjimin e Millosheviqit, duke thënë se gjenocidi në Srebrenicë dhe vrasjet e tjera masive në Ballkan mbeten njolla të pashlyera derisa nuk vendoset drejtësia.
“Bashkëndiejmë me popullin e Bosnjës dhe e kuptojmë dhimbjen e tyre! Gjenocidi në Srebrenicë dhe vrasjet e tjera masive në Ballkan, të kryera nga regjimi i Millosheviqit, mbeten njolla të pashlyera në ndërgjegjen e njerëzimit, derisa nuk vendoset drejtësia”, ka thënë Haradiaj.
Kuvendi i Kosovës vite më parë ka miratuar një rezolutë që njeh dhe dënon gjenocidin në Srebrenicë, ashtu sikur kishin vepruar edhe shumë shtete të rajonit, por jo edhe Serbia.