Një votim i mundshëm i Malit të Zi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, do t’i dëmtonte raportet që ky shtet ka krijuar me Brukselin zyrtar, ka vlerësuar gazetari shqiptar në Mal të Zi, Gjokë Dukaj.
Ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Majda Gorçeviq, në një vizitë të premten në Prishtinë, ka thënë se shteti i saj do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës në maj. Ditë më parë, deputetja e Malit të Zi Maja Vukiçeviq megjithatë votoi kundër në Komitetin për Politikë të Jashtme të KiE-së.
Sipas gazetarit Dukaj, Vukiçeviq i takon një partie që ka pasur edhe në të kaluarën përpjekje kundër shtetit të Kosovës, por sipas tij, qëndrimi zyrtar i Malit të Zi më 18 prill në votimin e ardhshëm do të jetë pro Kosovës.
“S’ka qenë aq i befasishëm votimi i kësaj deputeteje, pasi që ajo vjen nga një subjekt politik, që edhe vitin e kaluar pas konstituimit të pushtetit të parë në komunën e Zetës kishin iniciuar shfuqizimin e njohjes së Kosovës në territorin e kësaj komune. Edhe atëherë kam thënë që nisma e tillë s’do të prodhojë kurrfarë pasojash as juridike as natyra tjera, pos që në opinionin e këtushëm, kryesisht tek ata që janë përkrahës të iniciativave të tilla, por që s’kanë prodhuar faktikisht asgjë”, ka thënë Dukaj të premten në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Ai ka vlerësuar se një qëndrim i tillë i Malit të Zi do të dëmtonte imazhin e këtij shteti, sidomos në raport me Brukselin zyrtar, “sepse e dimë që edhe në prag të themelimit të kësaj qeverie të re, qarqe të shumta në Bruksel ishin skeptike për qëndrimet e subjekteve të caktuara për integrimin e Malit të zi në Bashkimin Evropian”.
Dukaj ka thënë se Qeveria aktuale e Malit të Zi ka fokusin e plotë kah Bashkimi Evropian dhe një votim kundër Kosovës do të ishte mosplotësim i qëndrimeve zyrtare.