Profesori në Universitetin e Prishtinës, Bujar Dugolli, ka thënë se Kosova nuk duhet të pranojë asnjë kushtëzim sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Sipas tij, është e padrejtë që Kosovës t’i kërkohen parakushte që lidhen me dialogun sa i përket anëtarësimit në KiE.
“Jo vetëm që është e padrejtë por edhe nuk duhet të pranohen kushtëzimet sa i përket anëtarësimit në KiE, për shkak se kjo nuk lidhet me çështjen e dialogut. Kosova është më e merituar të jetë anëtare në KiE se sa Serbia”, ka thënë ai.
Duke folur për politikën e brendshme, ai ka thënë se udhëheqësit e institucioneve duhet të jenë të gatshëm të diskutojnë me partitë opozitare, pavarësisht fuqisë së numrave në institucione.
Sipas tij, takimet preferohen të ndodhin më shpesh.
Ka shtuar, se edhe po të mos ketë fare tema, kryeministri e presidentja duhet t’i thërrasin partitë opozitare.
“Udhëheqësit duhet të ndërtojnë një agjendë të takimeve edhe joformale sepse janë bartës të institucioneve dhe e kanë për obligim të relaksojnë marrëdhëniet në dobi të shtetit”, ka thënë ai.
Sipas tij, deri tash nuk ka pasur konsensus mes qeverisë dhe opozitës as për temat e dialogut.
Ka shtuar se opozita këtë e ka bërë duke u thirrur në veprimet e së kaluarës të Vetëvendosjes.
Tutje ka deklaruar se Serbia është e kushtëzuar nga BE-ja për ta respektuar dhe për ta njohur Kosovën me kushtin që të ecë në rrugën evropiane.
“Edhe Kosova duhet t’i përgjigjet faktorit ndërkombëtar për obligimet e saj duke mos cenuar integritetin e vendit”, ka thënë ai.
Sipas tij, presioni ndaj Kosovës ka qenë gjithmonë më i madh.
Dugollli ka thënë se kjo qasje e BE-së nuk prodhon normalizim.
Ka shtuar se “BE-ja është duke anashkaluar realitetin që Kosovë është shtet i pavarur, dhe shpesh tentohet t’i iket barazisë në procesin e dialogut”.
Ai ka deklaruar se Kosova vazhdimisht ka pranuar kompromise dhe nuk është shpërblyer asnjëherë për to.