Dronët Bayraktarë me të cilët është furnizuar Forca e Sigurisë së Kosovës janë testuar nga oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës të premten në Aeroportin e Gjakovës.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci që ka njoftuar se ka vizituar njësinë e Sistemeve Ajrore pa Pilot në këtë aeroport bashkë me gjenerallejtënant Bashkim Jasharin.
“Për t’i vëzhguar nga afër operimet me dronët Bayraktar të kryera nga oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkë me Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, e vizituam njësinë SAPP në Aeroportin e Gjakovës. Aty u njohëm me opercionalizimet e kapaciteteteve të fluturakeve Bayraktar TB-2, të demonstruara nga oficerët e njësisë Sisteme Ajrore Pa Pilot (SAPP)”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Ai ka vazhduar duke thënë se me “oficerët dhe ushtarakët e mirëtrajnuar dhe të përkushtuar të ushtrisë tonë dhe me dronët Bayraktar në inventarin e sistemeve tona të armatimit, Kosova është më e fortë dhe ndjehet më e sigurt përballë kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale dhe eventuale”.
“Ne do të vazhdojmë edhe më tutje ta pajisim ushtrinë tonë me sisteme armatimi moderne dhe të sofistikuara, në shërbim të mbrojtjes dhe të sigurisë së Kosovës dhe për ta ruajtur paqen në vend dhe rajon”, ka përfunduar Maqedonci.