I shumëkërkuari Dritan Rexhepi, i njohur edhe si Gramos Rexhepi, të mërkurën (sot) do të ekstradohet në Shqipëri nga Turqia, ka konfirmuar Policia e Shtetit.
"Mbreti i drogës" u arrestua në Stamboll të Turqisë në nëntor të vitit 2023.
Rexhepi, që cilësohet si udhëheqës i kartelit të drogës me emrin “Bello”, kërkohej nga Italia, Belgjika, Spanja dhe Shqipëria nën akuzat për trafik droge nga Amerika e Jugut në Evropë.
Në Shqipëri, Dritan Rexhepi gjithashtu po gjykohet në mungesë në Gjykatën e Posaçme si porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, në 17 janar të vitit 2020.
I konsideruar si mjeshtri i arratisjeve nga burgjet, në mars të 2006-s, Rexhepi u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vjet burgim në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë.
Ai u arratis nga burgjet në Shqipëri, Itali dhe Belgjikë. Në Ekuador vuajti gati 10 vjet burg kur u arrestua në vitin 2014, prej ku edhe ndërtoi perandorinë e trafikut të drogës.
Pas lirimit, iku nga Ekuadori dhe hyri në Turqi me pasaportë false kolumbiane. U arrestua gjatë një operacioni të policisë turke më 10 nëntor 2023.
“Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi, pritet që ditën e sotme, të ekstradohet në Shqipëri, shtetasi i shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi. Ora e mbërritjes së këtij shtetasi do t’ju njoftohet në vijim, ndërsa informacioni i detajuar për të, bashkëlidhur me pamje filmike, do t’ju vihet në dispozicion pas mbërritjes së tij në Rinas”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Historia e Rexhepit
Mbërrin në Shqipëri i shumëkërkuari Dritan Rexhepi
Dritan Rexhepi ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit të mërkurën pasdite. Rexhepi ishte i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, por jo vetëm.
I njohur si “mjeshtër i arratisjeve”, Rexhepi u ekstradua në Shqipëri nga Turqia.
Ai qe arrestuar në Stamboll në nëntor të vitit 2023.
Përveç akuzës për trafik droge, "mbreti i kokainës" gjithashtu është i dënuar për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë në vitin 1998 dhe rolin në rrëmbimin dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës në vitin 2020.
Ai kërkohej edhe nga autoritetet në Belgjikë, Itali e Spanjë.