Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Drin Ejupi, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës po cilësohet si format “Big Brother”, e sipas tij, politikanët po mendojnë se janë influencues.
Ai ka thënë të enjten në “Zgjedhjet në KOHË” se nëse zgjidhet deputet do të punojë që Kuvendi të ketë rolin e tij.
“Politikanët po e keqkuptojnë rolin e tyre. Po mendojnë se janë shoumen, influencerë për disa ‘like’ në Facebook për të folur gjithçka. Po harrojnë se ata aty janë falë qytetarëve dhe janë për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve. Kuvendi ka rolin kryesor...Duke qenë Kuvendi që punon e diskuton mbi ide e nevoja, do të kemi edhe më pas një qeveri të fortë”, është shprehur ai.
Ai ka shtuar se në fokus ka normalizimin e punës së Kuvendit.
Drin Ejupi i uron “mirëseardhje” Bylbyl Sokolit në ekipin e PDK-së për sportin
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Drin Ejupi, i ka uruar “mirëseardhje” kandidatit për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Bylbyl Sokoli, në PDK.
Ai ka thënë se Sokoli është në ekipin e Bedri Hamzës, që është kandidat për kryeministër.
“Sokoli do të jetë nga Vetëvendosja, do të punojmë bashkë për sportin. Kështu që, mirë se vjen në ekipin e Bedri Hamzës për sportin...Ka pasur ngecje në infrastrukturën sportive në katër vitet e fundit. Kjo është evidente, më vjen keq pasi kam qejf kjo të bëhet”, ka thënë Ejupi.
Ndërsa, Sokoli ka shtuar se në 20 vjetët e fundit “s’është investuar sa është investuar në katër vjetët e fundit”.
