Drerët ia njohin zërin e ia kanë mësuar gjuhën.
“Hajde, hajde, hajde!”, thërret zëshëm Liridon Ademi, poshtë në lug. Shikimin e ka hedhur kah pylli i rrallë e i zhveshur në shpatin përballë. Pylli ia kthen jehonshëm: “Hajde, hajde, hajde!”. Menjëherë nisin të luhaten degët e drunjve. Shtigjeve gjarpërore lëshohen drerët e drenushat. Kafshët janë të murrme, të kuqe e laramane, shkruan sot Koha Ditore.
Dhjetëra sosh marrin turr drejt Ademit e Imer Kamberit, kujdestarë të rezervatit privat të drerëve në Dumnicë të Epërme të Vushtrrisë. Kamberi shkund majtas-djathtas karrocën të mbushur me misër, që ta dëgjojnë edhe drerët e drenushat e tjera, të shpërndara në shpatet pyjore dy anëve të lugut. Kamberi ua hedh misrin, të pashkokluar. Ndihet me faj teksa pa dashje e qëllon në kokë njërin prej tyre. “Ueh, e rroka n’krye”, thotë pendueshëm Kamberi. Por drenusha nuk largohet. Menjëherë merr ushqimin. Ademi vazhdon t’u hedhë kokrra të shkokluara me dorë.
Numri i kafshëve sa vjen e shtohet. Përvoja ua ka mësuar kujdestarëve disa hile të zanatit. Misër hedhin afër tunelit në anën e majtë të rezervatit të ndarë në dysh. Dy anët i bashkon tuneli i betontë. “Se me gju në anën tjetër, nuk dalin këndej”, thotë Ademi.
“Janë kafshë të buta, edhe pse duken të egra për shkak të brinjëve”, thekson Ademi, i cili ka katër vjet që punon në fermën e drerëve e të drenushave të Gani Imerit dhe shtatë vëllezërve të tij. “Edhe fëmijët sa troha iu japin misër me dorë dhe kurrfarë rreziku nuk ka”, shton Ademi, teksa ia mban në dorë misrin një drenushe.
Tri lloje drerësh
Në rezervat janë më shumë se treqind drerë e drenusha të shpërndara në një hapësirë prej më shumë se dhjetë hektarësh me pyje. Gjithçka kishte nisur vite më parë si jetësim i pasionit të vëllezërve Imeri, të cilët si fëmijë kishin lodruar lugut e shpateve në krye të fshatit kodrinor.
42 drerët e drenushat e para ishin sjellë nga Kroacia. Pastaj do të silleshin edhe mbi njëqind të tjera nga Gjermania. Tani ferma e parë private e drerëve dhe drenushave në Kosovë numëron më shumë se treqind sosh.
Ademi thotë se janë tri llojesh. “Kemi drenin e murrmë, drenin e kuq dhe drenin e larmë, që i thonë ‘bambi’”, thotë ai.
Kamberi vazhdon t’u hedhë misër drerëve e drenushave.
“Por këta e ndërrojnë ngjyrën e verës. Krejt tjetër ngjyrë kanë dimrit”, shton Ademi. Nxjerr celularin dhe rrëshqet djathtas gishtin nëpër fotografitë e ruajtura në celular. Ngjyrat e kafshëve thyejnë jeshilin e lëndinës dhe të pyjeve. Ndryshe prej gjendjes së tanishme të terrenit që e shtegtojnë drerët.
“Jo, këto nuk të lanë bari kurrkund, por gjatë verës ne i rrethojmë në një pjesë me bari për ushqim për to, derisa të del bari në pjesën tjetër, se ma shumë e dojnë ushqimin në natyrë”, shton Ademi. Kamberi vazhdon t’u hedhë misër pak metra më larg. Bari i thatë është pështjellë qëllimshëm nëpër fije armature midis lugut, që ta marrin kafshët sa herë që kanë uri. Ahuri me dërrasa ndodhet nja njëzet metra më larg. “Nuk pe dojshin me i majtë mshel. P’e dojshin natyrën”, shton Ademi me autorizim të Gani Imerit, i cili nëpërmjet celularit shpreh keqardhje që nuk mund të shoqërojë ekipin e gazetës në fermën e familjes së tij.
“Gjahtarët nuk po lanë”
Ademi, lindur e rritur në Dumnicën e Epërme, një fshat që ka lartësi mbidetare prej shtatëqind metrash, thotë se në fëmijëri kishte parë lloje të ndryshme të kafshëve të egra në bjeshkët e buta të fshatrave ndërmjet Podujevës dhe Vushtrrisë.
“Gjahtarët nuk po lanë”, thekson Ademi, i cili heziton të flasë më shumë kur pyetet se a po sheh gjahtarë që me veprimtarinë e tyre ilegale po rrezikojnë botën e egër shtazore të Kosovës.
Në hulumtimin e organizatës joqeveritare INDEP, “Mbrojtja e kafshëve të rrezikuara në Kosovë”, publikuar vjet, bëhet e ditur se Kosova ka afro 250 lloje të kafshëve të egra.
“Sidoqoftë, shkalla e lartë e rrezikshmërisë për kafshët në zhdukje mund të ngadalësohet nëse organet kompetente qeveritare punojnë me qytetarët, sektorin privat dhe shoqërinë civile”, vlerësohet në raportin e INDEP-it.
Bota e egër shtazore e bimore mbrohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Aty bëhet e ditur ndër të tjera se ato “... gëzojnë mbrojtjen e tyre të veçantë në pajtim me ligjin”. Ligji për Mbrojtjen e Natyrës është ligji bazë që përcakton kornizat për mbrojtjen e kafshëve në Kosovë. Aty thuhet prerazi se “nuk lejohet zhdukja e llojeve të egra vendore”.
Por Kosova nuk ka as të dhëna të sakta për gjendjen e botës së egër shtazore. “Mungesa e të dhënave është e dukshme edhe në Agjencinë e Statistikave të Kosovës”, thuhet në raportin “Mbrojtja e kafshëve të rrezikuara në Kosovë”.
“Institucionet, me theks të veçantë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duhet të hartojnë strategji dhe kampanja informuese për qytetarët në lidhje me ruajtjen e kafshëve të mbrojtura. Trajnime të rregullta duhet të mbahen me shoqata të gjuetarëve, si dhe duhet t’u shpërndahen materiale vetëdijesuese gjatë marrjes së lejes për gjueti, si dhe para çdo sezoni të gjuetisë”, rekomandojnë hartuesit e hulumtimit të INDEP-it.
“Atraksion falas”
Ademi, kujdestari i fermës së Imerëve në Dumnicë të Epërme, thotë se përherë e më shumë po ngrihet numri i vizitorëve. “Sidomos në pranverë, në kohë ekskursionesh, vijnë nxansa prej shkollave të krejt Kosovës. Kemi pasur vizita të shkollave me shtatë autobusa përnjëherë”, thekson ai. “Nuk ka vend prej nga nuk kemi pasur vizitorë. Vijnë edhe prej Shkupi e Shqipërisë. Edhe nuk ka pagesë për askënd, krejt e kanë gratis”, shton ai.
“Ka qenë falas, është falas dhe do të jetë falas”, ka konfirmuar edhe pronari Gani Imeri. Nëpër postime Facebooku të vëllezërve Imeri, që merren me ndërtimtari dhe biznese të tjera, shihen fotografi të vizitorëve të fermës.
Ferma e Imerëve ndodhet nja tridhjetë kilometra larg kryeqytetit. Në fshatin e rrafshët Stanoc të Vushtrrisë, përgjatë magjistrales Prishtinë-Mitrovicë, duhet të ktheheni në të djathtë për të vazhduar rrugën që merr përpjete të lehtë teksa gjarpëron drejt Dumnicës së Epërme.
Imerët, të cilët kanë ndërtuar një kullë me pishinë në oborr afër fermës, shpresojnë se do të kthehen në shembull për bashkëfshatarët e tjerë që tashmë janë shpërngulur nga Dumnica e Epërme. Në krye të fshatit me rrugë të asfaltuar tymon oxhaku i vetëm një shtëpie. “Iu kanë ra edhe kulmat shpive”, thotë Ademi, i cili ende jeton në Dumnicë.
Ademi shoqëron ekipin e gazetës në krye të lugut, ku ndodhet baseni prej katër metrash thellësi për drerët e drenushat. Sipërfaqja është ngrirë. “Shumë iu pëlqen me u la verës. Sidomos drerëve të kuq”, thekson ai.
Kur kthehemi te tufa, Kamberi, kujdestari më i ri, tashmë ua ka hedhur kokrrat e fundit të misrit.
Drerët e Dumnicës në “Guardian”
Ademi tregon ditën e acartë të mesit të janarit të vitit 2017, kur fotoreporteri i agjencisë franceze të lajmeve, prishtinasi Armend Nimani, u ngjit në Dumnicë të Epërme për të shkrepur dhjetëra fotografi. Njëra prej tyre do të përfshihej në mesin e fotografive më të mira të ditës në mbarë botën, të rubrikës së veçantë të prestigjiozes britanike “Guardian”. “Kuku, çfarë ftohti u kanë kur ka ardh e më ka trokit atje te kontejneri. Tha: ‘Du me i fotografu drenat e drenushat’”, kujton Ademi, teksa hukat duart duke përshkruar të ftohtin e asaj dite. “Thanë se u pat zgjedh fotografia ma e mirë”.