1 milion e 731 mijë euro shpenzoi shteti për paga të deputetëve, për udhëtime të tyre jashtë vendit e për shërbimet që i morën nga bufeja e Kuvendit, vetëm për gjashtëmujorin e dytë të 2023-s. Shpenzime bënë edhe për dreka zyrtare. Fatura e një dreke të 10 deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme kushtoi 1,136 euro.
Për 33 mijë euro u rritën shpenzimet e deputetëve për udhëtime zyrtare jashtë vendit në 6-mujorin e dytë të 2023-s, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, tregon raporti financiar i Kuvendit.
46 deputetë që bënë udhëtime zyrtare, prej korrikut deri në dhjetor të 2023-s, harxhuan 112 mijë euro në bileta, akomodim e shpenzime të tjera.
Gjatë kësaj kohe disa nga deputetët bënë deri në 9 udhëtime zyrtare jashtë Kosovës.
Por, shpenzime bënë edhe brenda vendit në dreka zyrtare, si anëtarë të komisioneve parlamentare.
Komisioni që më së shumti shpenzoi në dreka është ai për Punë të Jashtme dhe Diasporë.
Vetëm brenda një dite, 10 anëtarët e këtij komisioni shpenzuan në ushqim e pije 1,136 euro.
Mesatarisht, fatura për secilin nga ta e kalon vlerën prej 110 eurosh.
E për një drekë të vetme zyrtare, anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut shpenzuan 414 euro.
Ndërkaq, ata të Komisionit për Financa Publike, brenda një dite shpenzuan 141 euro në një restorant, nga i cili deputetët e morën çmimin të ndarë në dy fatura, gati të barabarta.
Përveç drekave zyrtare, ligjvënësve u mbulohen nga Kuvendi edhe shpenzimet e shërbimeve që i marrin prej bufesë.
Për 6 muaj aty konsumuan pije në vlerë mbi 19 mijë euro.
Mbi 20 mijë euro buxheti i Kuvendit i shpenzoi në derivate për vetura, e 6 mijë për automjete me qira.
Në pjesën e dytë të 2023-s, ligjvënësve iu deshën edhe shërbime intelektuale e këshillëdhënëse, për të cilat Kuvendi pagoi 1400 euro.
Nga korriku e deri në dhjetor, për pagat e deputetëve u shpenzuan 1 milion e 600 mijë euro. Për të njëjtën periudhë ata kanë miratuar 27 projektligje.