Lëshimin e lejeve ndërtimore ka disa muaj që i ka hequr nga vetja drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki.
Nga gushti i vitit të kaluar, të gjitha vendimet e kësaj drejtorie për trajtimin e lëndëve nuk i nënshkruan vetë ai.
Mbi 100 leje të lëshuara që nga kjo kohë, janë nënshkruar nga udhëheqja e sektorit në Drejtorinë e Urbanizmit, Nazife Krasniqi.
I pyetur nga KTV-ja, Sadiki ka thënë se kjo gjë ka qenë e nevojshme pasi numri i kërkesave në bazë ditore është shumë i madh.
“Meqenëse Drejtoria e Urbanizmit më vete ngërthen shumë aktivitete, rrjedhimisht edhe numri i vendimeve që nxjerr në bazë ditore është i madh. Për të përshpejtuar procesin është marrë mendim nga Zyra Ligjore nëse këto vendime, përpos zyrtarit përgjegjës dhe shefit të sektorit, është e domosdoshme që të nënshkruhen edhe nga drejtori i drejtorisë”, ka thënë ai.
Sadiku ka dërguar edhe përgjigjen e Zyrës Ligjore të Komunës së Prishtinës, në bazë të së cilës thuhet se drejtorit i lejohet bartja e kompetencave tek një zyrtar përgjegjës.
"Për të sqaruar në tërësi çështjen e ngritur rreth nënshkrimit të lëndëve (vendimeve që vendosin për kërkesat e palëve) duhet t’i referohemi paragrafit 3 të nenit 26 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, i cili përcakton se: “Drejtuesi i njësisë përgjegjëse, të përcaktuar sipas paragrafit 2 të këtij neni, mban vetë ose ia delegon një nëpunësi tjetër të njësisë përgjegjësinë për zhvillimin e procedurës administrative (në vijim: “zyrtari përgjegjës”). Drejtuesi i njësisë përgjegjëse, prezumohet të jetë zyrtar përgjegjës deri në caktimin e një zyrtari tjetër përgjegjës sipas këtij paragrafi”, thuhet në përgjigjen e Zyrës ligjore dërguar Sadikit.
Zyrtarë të kësaj zyre i kanë thënë KOHËS së pavarësisht se nuk nënshkruan lejet, Sadiku nuk mund të heqë nga vetja përgjegjësitë nëse ka gabime në leje dhe se ai bashkë me kryetarin Rama duhet të japin përgjegjësi në qoftë se nisin hetime institucionet e tjera.
Të njëjtën praktikë e ka ndjekur më parë edhe Ardian Olluri, i cili ka udhëhequr këtë drejtori gjatë mandatit të kaluar.
Në një prononcim për KOHËN, Olluri ka treguar se gjatë kohës që ka qenë drejtor këto kompetenca ia kishte kaluar udhëheqëses së sektorit të Drejtorisë së Urbanizmit, e cila më vonë kishte hequr dorë nga kjo dhe ai vazhdoi t’i nënshkruante lejet.
“Në një periudhë i pata deleguar zyrtarët për ta nënshkruar dhe kjo ka ndodhur për rreth një vit. Për shkak të pasigurisë së zyrtarëve për ta nënshkruar një dokument pa e nënshkruar drejtori, e kam kthyer nënshkrimin përsëri. Pra kjo ka ndodhur me kërkesë të zyrtarëve. Nuk jam konsultuar me zyrën ligjore, këto kanë qenë vendime të marra brenda drejtorisë”, ka thënë ai.
Ndërkohë në shumicën e lejeve sa ishte drejtor, Liburn Aliu kishte nënshkruar vetë.
Njohësi i çështjeve të urbanizmit, Driton Tafallari, thotë se Komuna e Prishtinës është mirë të ndalojë krejt lëshimin e lejeve ndërtimore, duke iu lëshuar rend ndërtimeve të hapësirave të gjelbra.
Që nga ardhja e tij në postin e drejtorit e deri në gusht të vitit të kaluar Sadiki ka nënshkruar mbi 200 leje.
Sadiki nga fillimi i këtij viti është edhe drejtor i planifikimit, pozitë të cilën deri në riformatizim e mbante Mimoza Sylejmani.