Arbëri

Drejtori i Policisë vlerëson se në veri ka rrezik deri kur të kapet Radoiçiqi

Drejtori i Policisë Gazmend Hoxha e ka vlerësuar si të qetë situatën në Kosovë përveç në veri, ku tha se menaxhimi i saj do të vazhdojë të jetë sfidë për Policinë edhe gjatë këtij viti. Ai tha se përderisa Milan Radoiçiqi është i lirë, rreziku vazhdon të jetë aktiv

Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se sivjet synohet që kryeqyteti të bëhet me Polici të veten.

Gjatë raportimit para deputetëve të Komisionit për Siguri, të martën, Hoxha e vlerësoi të nevojshme Policinë e kryeqytetit duke deklaruar se Prishtina është qytet i ngarkuar me aktivitete kriminale.

“Do të ketë një njësi të veçantë të trafikut, do të ketë një njësi të veçantë të reagimit të shpejtë ose njësi mbështetëse operacionale, do të ketë njësi unike të hetimeve për të gjitha tri stacionet policore të Prishtinës, do të ketë njësi të planifikimit, një zëdhënës dhe do të ketë kapacitete në mënyrë që t’u dalë ballë sfidave që i ka Prishtina si kryeqytet”, ka deklaruar ai.

Me përjashtim të veriut të Kosovës, Hoxha e vlerësoi të qetë situatën e përgjithshme të sigurisë në vend.

“Në pjesën veriore të Kosovës edhe më tutje situata e sigurisë mbetet e brishtë me mundësi të tensionimit si rezultat i aktiviteteve të strukturave ilegale dhe grupeve kriminale e terroriste”, ka thënë ai.

Pas kësaj pjese Komisioni u mbyll për media dhe sipas drejtorit u diskutua kryesisht për situatën në veri. 

Ai përmendi rrezikun që po i kanoset Kosovës rreth kufirit me Serbinë. 

“Jemi duke punuar bashkë me KFOR-in dhe EULEX-in atje, kemi patrullime të përbashkëta. KFOR-i ka shtuar numrin e prezencës së vet me ushtarë atje dhe me teknikë, kështu që shpresojmë të mos kemi telashe serioze. Sidoqoftë, derisa Radoiçiqi dhe grupi i tij terrorist vazhdon të jetë i lirë dhe vazhdon të qëndrojë në kufi të Kosovës, rreziku është akoma aktiv”, është shprehur ai pas mbledhjes.

Radoiçiqi ka pranuar se ka marrë pjesë në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Ai ka ikur në Serbi, ku po mbrohet nga autoritetet e atjeshme. Radoiçiqi, që deri në kryerjen e sulmit ishte edhe nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të  madhe të serbëve në Kosovë, është edhe në listën e zezë të SHBA-së për aktivitetet e tij kriminale.

Ndërkohë, sipas drejtorit Hoxha, Policinë e Kosovës gjatë vitit të kaluar e kanë lënë 77 persona. Këtë problematikë drejtori i Policisë, Hoxha, e ka quajtur “trend botëror”.