Arbëri

Draftkonkluzat e BE-së: Kosova ta dërgojë pa vonesë në Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit

“Këshilli përsërit se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksi për implementim... duhet të respektohen dhe implementohen në tërësi sa më shpejt”, thuhet në draftin e konkluzave të ministrave të BE-së. “Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe duke nisur me përcjelljen e draftit të Statutit, të cilin palëve ua kishte prezantuar lehtësuesi i BE-së, përmes vendimit të Qeverisë së Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës pa vonesa të reja”

Bashkimi Evropian do t’u bëjë thirrje Kosovës dhe Serbisë që pa vonesa dhe pa parakushte të implementojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre, duke rikujtuar se ky është edhe kusht për përparimin e tyre në procesin e integrimit në BE. 

Kjo porosi pritet të jetë pjesë e konkluzave, të cilat do të miratohen të martën në takimin e ministrave të BE-së. 

KOHA ka pasur qasje në draftin e këtyre konkluzave kushtuar zgjerimit. 

Në rastin e Kosovës në veçanti kërkohet që të nisë pa vonesa themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Serbia kërkohet që të nisë njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës, siç parasheh edhe marrëveshja.

“Këshilli përsërit se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksi për implementim, të miratuara në shkurt dhe mars 2023, duhet të respektohen dhe implementohen në tërësi sa më shpejt që të jetë e mundur pa parakushte, sikur edhe të gjitha obligimet e tjera nga BE-ja, sikur edhe të gjitha obligimet ekzistuese nga dialogu”, thuhet në këtë dokument. “Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe duke nisur me përcjelljen e draftit të Statutit, të cilin palëve ua kishte prezantuar lehtësuesi i BE-së, përmes vendimit të Qeverisë së Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës pa vonesa të reja”.

Në këto konkluza, BE-ja do të dënojë edhe një herë dhunën në veri të Kosovës, përfshirë sulmet e fundit në kanalin e Ibër-Lepencit, por edhe sulmet e vitit të kaluar në Banjskë. Do të përsërisë thirrjet që kryerësit e këtyre akteve të nxirren para drejtësisë dhe të shprehet keqardhje e thellë se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të duhur për t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë.

“Këshilli mbetet thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të qëndrueshëm për de-eskalim, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokative që mund të çojnë në tensione dhe dhunë, dhe të evitojnë retorikën përçarëse”, thuhet në draftin e këtij dokumenti.

Sa i përket Serbisë, edhe pse Presidenca Hungareze dhe Komisioni Evropian kanë bërë përpjekje maksimale që të hapet grupkapitull 3, kjo nuk do të ndodhë pasi disa shtete kanë bllokuar këtë vendim. Serbisë do t’i rikujtohet se për të avancuar drejt BE-së duhet të bëjë më shumë përparim, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, por edhe në normalizimin e raporteve me Kosovën. Serbia që nga dhjetori i vitit 2021 nuk ka hapur asnjë kapitull. Në konkluzat në fjalë, BE-ja do të shprehet se do t’i rikthehet hapjes së kapitujve me Serbinë sapo të arrijë progres në këto pika. 

Nuk pritet të ketë lëvizje sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, që është dorëzuar para saktësisht dy vjetësh, por akoma në Këshillin e BE-së mbetet në sirtarë.

Nuk do të ketë lëvizje as për Maqedoninë e Veriut, e cila vazhdon të jetë e bllokuar nga Bullgaria dhe për Bosnjë-Hercegovinën.  Këto dy vende kanë statusin e kandidatit, por akoma nuk kanë hapur kapituj negociues në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE.

Bashkimi Evropian do të përsërisë se mbetet i përkushtuar për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, të cilin e sheh si interes gjeo-strategjik që ka rëndësi kyçe në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit. Por do t’u bëjë thirrje vendeve të rajonit që paralelisht me reformat për integrim në BE të punojnë për zgjidhjen e mospajtimeve rajonale dhe problemeve në raportet bilaterale.