Në bazë të aktvendimeve e aktgjykimeve, KOHA ka nxjerrë shumicën e veprave penale për të cilat ka mbajtur dënim Faton Hajrizi
Faton Hajrizi ka historik të bujshëm kriminal. Ai njihet më së shumti për vrasjen e ushtarit rus në kuadër të KFOR-it me inicialet I.K.
Por nga aktgjykimet dhe aktvendimet e lëshuara nga Themelorja në Mitrovicë, del se Hajrizi ishte i përfshirë në aktivitete kriminale edhe para vrasjes së ushtarit.
Më 27 mars 2001, Gjykata e Qarkut në Mitrovicë e dënoi me masë edukimi nga 1 deri në 5 vjet. Në këtë aktvendim, përfshihet vrasja e ushtarit rus më 27 shkurt 2000, një rast i tentim vrasjes, tri raste të vjedhjeve të kasetofonëve të veturave dhe dy raste të shfrytëzimit të veturave pa leje.
Sipas kronologjisë, në janar 2000, në Gllogovc, në bashkëpunim me një të mitur tjetër, vjedhin një kasetofon nga një veturë.
Më 18 gusht 2000, në fshatin Klinë e Ulët të Skenderajt, Faton Hajrizi tentoi të vriste të dëmtuarit H.H. dhe I.M., por sipas aktvendimit, nuk e kompletoi veprimin.
“Siç është pohuar edhe prej Fatonit dhe dëshmitarëve në deklaratat e lexuara dhe të dhëna përpara trupit gjykues, është parë pa asnjë dyshim të arsyeshëm se fëmija më 18 gusht 2000, në fshatin Klina e Ulët gjuajti në drejtim të H.H. dhe I.M. kur ata i kishin kthyer kurrizin, me pistoletë ‘TT’ gjysmë automatike 7.62 mm duke shkaktuar plagosje trupore të rënda në këmbët e të dy palëve të dëmtuara. Fëmija e bëri këtë pas një grindjeje që e pati me palët e dëmtuara”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë.
Pastaj, në janar 2001, bashkë me dy të mitur të tjerë, në dy raste të ndryshme, hapin tri vetura dhe vjedhin dy kasetofonë dhe një amplifikues.
E, në aktgjykimin e datës 24 janar 2008 të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, Faton Hajrizi, tashmë i rritur, dënohet me 6 vjet burgim për 5 vepra penale.
Më 5 maj 2006, bashkë me të akuzuarin B.B., sipas aktgjykimit, futen në depon e një kompanie dhe Hajrizi ia vendos pronarit armën e tipit AK-47 në fyt, e rrëzojnë për tokë, ia marrin 130 euro, një telefon Nokia dhe e rrahin, duke u paraqitur se janë pjesëtarë të Armatës Kombëtare Shqiptare. Atij i kërkuan para të tjera, duke i thënë se “ne po vuajmë në mal për ju”.
Të njëjtën datë, në fshatin Klinë e Epërme të Skenderajt, Hajrizi me të akuzuarin tjetër futen në një internet kafe dhe nën kërcënimin e armës, grabisin 335 euro dhe dy telefona, Nokia e Sony Ericson.
E një muaj pas kësaj ngjarjeje, Hajrizi në fshatin e tij Klinë e Ulët, sipas aktgjykimit, shkon te shtëpia e të dëmtuarit N.I. dhe e thërret “dil se jam shoku yt” dhe më pas e gjuan me armë.
Faton Hajrizi më 16 dhjetor 2019 është shpallur fajtor edhe për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, ku plagosi 2 policë të Kosovës, për çka u dënua me 1 vit burgim.
Për këtë çështje dhe të tjera të përfshira në këtë dosje penale, KOHA ka kërkuar aktgjykimin nga Themelorja në Prishtinë. Zyrtarë të saj thanë se dokumentacioni gjendet në arkivat e Themelores në Pejë. Por zyrtarë të këtij institucioni e mohuan këtë.
Gjatë kohës sa qëndroi në burg, ai u arratis 9 herë. Për herë të fundit më 6 korrik të këtij viti nga burgu i Smrekonicës.