Historitë e 345 të mbijetuarve të dhunës seksualë gjatë luftës në Kosovë janë prezantuar në raportin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës me emrin “E drejta për të vërtetën, viktimat pa emër”.
Nga kjo shifër 325 janë gra e vajza dhe 20 burra e djem. Sipas këtij raporti, 22 për qind e të mbijetuarave kanë rrëfyer se dhunimi kishte ndodhur në shtëpitë e tyre.
13 gra si pasojë e dhunimit kishin mbetur shtatzënë.
Ndërsa 11 për qind e rasteve në këtë raport janë fëmijë, të cilët në kohën e përjetimit të dhunimit seksual ishin nën moshën 18-vjeçare.
“Ajo që është më e rëndësishmja është tek këto rastet që kanë ndodhur në shtëpinë e viktimës, apo në 48 për qind që kanë ndodhur në shtëpinë ku viktimat kanë qenë të strehuara . Janë rastet ku zakonisht popullata ka qenë e zhvendosur nga një shtëpi në shtëpinë tjetër. Në këto raste zakonisht dhunimet kanë qenë grupore, ku dhunuesit kanë hyrë në shtëpitë ku kanë qenë të vendosur fëmijët apo gratë”, ka deklaruar Fatmire Haliti, menaxhere e projektit.
Por numri i atyre që vendosën t’i denoncojnë këto raste është i ulët.
E kjo, sipas Vasfije Krasniqit-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale, është si pasojë e mungesës së drejtësisë në këto raste.
“Kjo ditë dhe datë më kthen prapa mua se ka qenë para 22 vitesh për mua ndodhi krimi dhe tmerri më i madh që më ndodhi në jetë. Më dërrmoi, mi shuajti ëndrrat, ma prishi jetën. Me këtë raport unë ndihna shumë mirë, që me të vërtetë të dokumentohen se janë shumë viktima kanë pasur mundësi të raportojnë edhe krimet. Unë jam ajo që kam dokumentuar ditën e nesërme, shpresoj që edhe viktimat tjera të raportojnë rastet që i kanë. Është e vështirë që të raportohen raste, kur dihet që drejtësia u ka munguar të gjithëve. Nuk kemi asnjë kriminel të dënuar për krimet që kanë bërë për viktimat e dhunës seksuale. Kjo i bën viktimat që të heshtin”, është shprehur Vasfije Krasniqi-Goodman, tash deputete.
Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së, thotë se dy dekada pas luftës, Kosova ende ka vështirësi në adresimin e krimeve të luftës.
“Pra, ka munguar një dokumentim i mirëfilltë i krimeve të luftës, e në veçanti krimeve të dhunës seksuale të luftës. Prandaj, QKRMT në bashkëpunim me organizata e licencuara që kemi prezent këtu, ka filluar iniciativën e dokumentimit të këtyre krimeve, në kuadër të projektit zviceran “Rritja e angazhimit për drejtësi tranzicionale në Kosovë”, tha ajo.
Për ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, të mbijetuarat përjetojnë padrejtësi të dyfishtë për shkak të stigmatizimit që po u ndodh.
“Statusi i të gjitha të mbijetuarve viktimave nga dhuna seksuale duhet të njihet. Ligji aktual nuk është i kompletuar, për arsye se mbulon vetëm një periudhë të kufizuar kohore. Ky ligj duhet të amandamentohet që të gjithë viktimat, pavarësisht momentit të krimit, të kenë mundësi të aplikojnë për atë se çfarë atyre ju takon. Përballja e tij me të vërtetën dhe stigmatizimit është ekstrem e vështirë, por mënyra e vetme që të arrihet të shërohet plaga”, Thomas Kolly, ambasador i Zvicrës.
Në këtë raport gjithashtu thuhet se 86 për qind e rasteve të dokumentuara kanë treguar se kryerësit nuk i kanë parë më herët, kurse 9 për qind e tyre i njohin sepse kanë qenë persona me emër në atë komunitet.
Në Kosovë gjatë periudhës 1999-98 besohet se ishin dhunuar seksualisht rreth 20 mijë viktima.