Arbëri

Dobruna: Paraplegjikët dhe tetraplegjikët me lëndime të përhershme do të kenë edhe kujdestarë të përhershëm

Zëvendësministri i Financave, Agon Dobruna, ka thënë se me rregulloren e re për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, ata që janë me vlerësim të përhershëm, do ta kenë edhe kujdestarin e përhershëm.

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Dobruna ka thënë se me këtë rregullore nuk do të ketë më rivlerësime. 

Sipas tij, rivlerësime do të ketë vetëm në rast të ndonjë parregullsie nga ana e komisionit, apo në rast të përkeqësimit të gjendjes së personit paraplegjik apo tetraplegjik.

“Më nuk do të ketë rivlerësime, pasi personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë kur vlerësohen si të tillë, vlerësimi do të jetë i menjëhershëm dhe i përhershëm, pastaj nuk do të kemi radhë që jemi mësuar t’i shohim tani. Do të ketë mundësi të aplikimit online. Rivlerësimi do të ndodhë vetëm në dy raste – në rastet kur monitoruesit prej anës së ministrisë vërejnë ndonjë parregullsi që ka ndodhur nga ana e komisionit de do të mund ta sjellin rastin në rivlerësim, si dhe në rast të përkeqësimit të gjendjes së personit paraplegjik apo tetraplegjik mund të bëhet rivlerësimi shtesë, në të kundërtën rivlerësim nuk do të ketë. Tash e tutje me rregulloren e re, ata persona që kanë vlerësimin e përhershëm, do ta kenë edhe kujdestarin e përhershëm, do t’u paguhet kujdestari. Ndërsa, në rastet kur ka plagë dekubitare të përhershme, do të paguhen edhe ato. Ato raste që janë në gjykatë, do të vazhdojnë të jenë aty”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për gjendjen aktuale në “Trepçë”, për çka ka thënë se 4 milionë eurot e ndara nga Qeveria të mërkurën, janë për pagat e punëtorëve. Sipas tij, Bordi i kësaj ndërmarrjeje duhet të ketë plan të veprimit për të sjellë më shumë përfitim.  

Duke e parë gjendjen aktuale që kemi me Trepçën është paraqitur si kërkesë dhe si nevojë që Qeveria si aksionare e kësaj ndërmarrje ka vendosur të mbështesë përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike me 4 milionë euro Trepçën, dje është marrë edhe vendimi, të gjithë e dimë që tash e një kohë kemi pa paga punëtorët e Trepçës dhe po besoj që pjesa më e madhe do të kalohet aty, jemi gjithmonë për të mbështetur Trepçën, por edhe ndërmarrja me Bordin e ri para disa jave, po besoj që duhet të ketë plan të veprimit që të jenë më profitabilë, të sjellin më shumë përfitim së pari për të siguruar ndërmarrjen e më pas për t’i mbështetur të tjerat.