Arbëri

Do të rinumërohen 8 vendvotime për kryetarë dhe 35 për kuvende komunale

Kryeshefi i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Burim Ahmetaj, ka thënë se do të duhet të rinumërohen 8 vendvotime për kryetarë dhe 35 për kuvende komunale, pasi ka pasur mospërputhje të votave mes subjekteve dhe kandidatëve.

“QNR gjatë procesimit të formularëve, një numër i caktuar nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta. Të dhënat që janë të shënuara në formularë nuk janë të kuptueshme. Meqenëse kemi të bëjmë me ngatërrim të rubrikave, pra kemi edhe mospërputhje të votave mes subjekteve e kandidatëve. Si rrjedhojë, gjatë hetimit konstatohet se nuk mund të procesohen si të tilla e rekomandohet që këto vendvotime të rinumërohen. 8 vendvotime për kryetar edhe 35 për kuvende komunale”, ka thënë Ahmetaj.

Ndërsa, Ahmetaj ka shtuar se synimi është që të fillohet sa më shpejt numërimi i votave me kusht.

Anëtarët e KQZ-së kanë votuar për. Rinumërimi fillon në ora 17:00. 

Javën e kaluar KQZ kishte rinumëruar 8 vendvotime për kryetarë të komunave dhe 15 të tjera për kuvende komunale.