Mosfunksionimi i sistemit të KQZ-së gjatë ditës së zgjedhjeve, ka zbehur besimin e qytetarëve në këtë institucion, është thënë në konferencën e Demokracisë në Veprim, të hënën.
Eugen Cakolli, nga ky koalicion i organizatave joqeveritare, tha se me gjithë disa shkelje, në përgjithësi procesi zgjedhor i 9 shkurtit është zhvilluar në përputhje me standardet demokratike.
“Megjithatë pas një dite të mirë zgjedhore që është shoqëruar nga një interesim i lartë i qytetarëve dhe është zhvilluar në një frymë demokratike, për shkak të probleme teknike ne sistemin elektronik të publikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së, disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit, DnV-ja konsideron se ky zhvillim ka zbehur besimin e publikut si në rezultatet zgjedhore ashtu edhe në punën e KQZ-së”, tha Cakolli.
Sipas Cakollit, dyshime në lidhje me sigurinë dhe integritetin e këtij procesi zgjedhor, janë ngjallur edhe me dështimet dhe problemet lidhur me transportin e votave të diasporës.
Përveç në ditën e zgjedhjeve, Cakolli tha se ky proces është duke u përcjellë me telashe të tjera, duke vënë theks të veçantë te mosfillimi i numërimit të votave të kandidatëve.
Sipas tij, ky proces i numërimit është dashur të nisë të hënën.
“Fatkeqësisht gjatë ditës së sotme është raportuar që shumë prej qendrave e mbase të gjitha kanë pasur vonesa apo pamundësi për të filluar procesin e numërimit të votave të kandidatëve edhe pse në bazë të dispozitave ligjore ky process duhet të fillonte në orën 8:00 të sotme të mëngjesit… Ky proces të zgjasë për disa ditë nëse jo javë”, tha Cakolli.
DnV-ja i ka bërë thirrje KQZ-së që të sigurohet që procesi i numërimi i votave të zhvillohet pa vonesa të mëtutjeshme.
