Arbëri

DnV për tensionet në Skenderaj: Aktet e tilla bien në kundërshtim me parimet e demokracisë

Demokracia në Veprim

Organizata joqeveritare "Demokracia në Veprim" ka thënë se gara zgjedhore dhe liria e grumbullimit cenohet me incidentin e së hënës në Skenderaj, ku tubimi i Lëvizjes Vetëvendosjes u tentua të pengohej nga disa persona.

DnV-ja ka thënë se aktet e tilla krijojnë atmosferë tensione dhe pasigurie “që bie në kundërshtim të plotë me parimet themelore të demokracisë”.

Kjo organizatë tha se dënon dhunën, provokimin apo çfarëdolloj ndërhyrje të proceset demokratike, “veçanërisht gjatë një periudhë kaq të ndjeshme të fushatës zgjedhore”.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen për një fushatë të qetë dhe dinjitoze, ku mbizotëron respekti dhe debati i argumentuar. Për këtë qëllim, theksojmë nevojën që subjektet politike të moderohen në gjuhën dhe tonin që përdorin, duke shmangur diskursin e ashpër që rrezikon të përshkallëzojë tensionet dhe të ndikojë negativisht te qytetarët dhe mbështetësit. Ftojmë qytetarët, përfaqësuesit politikë dhe sidomos mbështetësit e tyre që të tregojnë maturi, respekt dhe përgjegjësi gjatë kësaj periudhe të rëndësishme, duke kontribuar në krijimin e një klime që promovon pjesëmarrje të lirë dhe paqësore”, thuhet tutje në reagimin e bërë në Facebook.