Arbëri

DnV: 30 ditët e fushatës me diskurs politik tejet të ashpër

Foto nga arkivi i Kohës

Foto nga arkivi i Kohës

Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim ka gjetur se përgjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore diskursi politik ishte tejet i ashpër, si në terren ashtu edhe në hapësirën digjitale. Sipas DnV-së, shpeshherë fushata u karakterizuar nga sulme të ndërsjellë, akuza personale dhe përdorimi i termave denigrues. 

Ndërkohë, ka shënuar edhe disa incidente. 

“Rastet kryesore të incidenteve përfshijnë hedhjen e mjeteve të forta dhe atyre piroteknike në një tubim në Skenderaj, djegien e materialeve propaganduese të kandidatëve, si dhe disa incidente në komunat me shumicë serbe, të tilla si pengimi i aktiviteteve elektorale në Graçanicë, hedhja e një kokteji molotovi mbi një veturë të KQZ-së, si dhe disa incidente të tjera në veri të vendit. Këto raste dhe akte, jo vetëm që kanë rritur tensionet në terren, por gjithashtu kanë ndikuar në perceptimin mbi lirinë e grumbullimit gjatë fushatës”, njoftoi DnV.

Në raport me mediat, sipas DnV-së, partia në pushtet mbajti qasje vazhdimisht konfrontuese ndaj gazetarëve, ndërsa disa media u perceptuan si të njëanshme në mbulimin dhe raportimet e tyre. 

DnV ka vërejtur se fushata e këtij viti ka sjellë mobilizim të madh në rrjetet sociale, me numër më të madh të postimeve të sponsorizuara dhe shpenzimeve për promovim digjital. 

Sa i përket pjesëmarrjes së grave në aktivitete të fushatës, Demokracia në Veprim ka thënë se ajo ishte e ulët qoftë si folëse në tubime apo debate televizive. 

“Kjo fushatë është karakterizuar me raste të theksuara të përdorimit të gjuhës së urrejtjes, diskriminuese apo fyese. Pa llogaritur aktivitetet e sotme, në plot 130 aktivitete, apo rreth 1/5 e tubimeve publike të organizuara, është raportuar për raste të një gjuhe të tillë. Në përqindje, Lëvizja Vetëvendosje prin sa i përket aktiviteteve të zhvilluara ku ka pasur gjuhë të urrejtjes – me rreth 21% të aktiviteteve; pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 19% të aktiviteteve; Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 18% të aktiviteteve; dhe Partia Demokratike e Kosovës me 14% të aktiviteteve të organizuara, në të cilat ka pasur gjuhë nxitëse apo të urrejtjes”, thuhet në gjetje. 

Te kandidatët për deputetë, janë identifikuar 878 raste të gjuhës denigruese dhe nxitjes së urrejtjes që kanë përdorur ata.