Arbëri

Djegia e gomave jashtë kontrollit, megjithëse është e rregulluar me udhëzim administrativ

Djegia e gomave vazhdon të jetë dukuri në Kosovë. Vetëm gjatë vitit të shkuar janë regjistruar 40 raste, sipas Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave. Menaxhimi i gomave të përdorura rregullohet përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Mjedisit, mirëpo ky dikaster nuk ka të dhëna për numrin e qendrave që merren me trajtimin dhe riciklimin e tyre. Njohës të çështjeve të ambientit numërojnë rreziqe të shumta nga kjo dukuri

Afro 40 raste të zjarrvënies nga djegia e gomave të nxjerra nga funksioni janë regjistruar gjatë vitit që shkoi.

Këto të dhëna figurojnë në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, sipas së cilës në katër muajt e parë të këtij viti janë evidentuar edhe 6 raste të tjera.

“Gjatë këtij viti, pra 2025, deri në javën e tretë të muajit prill, janë regjistruar 6 raste të zjarreve që kanë ardhur si pasojë e djegies së gomave të automjeteve në ambiente të hapura”, thuhet nga Agjencia.

E menaxhimi i këtyre gomave është i rregulluar përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Mjedisit, qëllimi i të cilit është parandalimi i ndotjes së mjedisit nga ky material.

Në dokument thuhet se ekzistojnë qendra grumbulluese, shërbyese e trajtuese që merren me riciklimin e gomave të nxjerra nga përdorimi.

Por në Ministri thanë se nuk kanë informacione për numrin e tyre në Kosovë.

“Përderisa është në fuqi Udhëzimi Administrativ, palët (prodhuesit, importuesit dhe konsumatorët apo pronarët e gomave) kanë detyrime dhe përgjegjësi që ta zbatojnë atë. Sa i përket Licencës për menaxhim të mbeturinave janë katër kompani që janë të licencuara, po meqenëse licenca për menaxhim të tyre tani më është shfuqizuar, prej shtatorit të 2022-s ajo është inkorporuar në leje mjedisore”, thuhet nga Ministria e Mjedisit.

Ekspozimi dhe djegia e gomave janë tejet të dëmshme për shëndetin e njerëzve dhe ambientin, vlerësojnë ambientalistët.

 “Kemi edhe komponime kancerogjene, të cilat në bashkëpunim me karbonin e zi që del edhe me dyoksidin e karbonit krijojnë efekte negative në shëndetin tonë, e parimisht në rrugët e frymëmarrjes, sidomos edhe në zvogëlimin apo dobësimin e kapacitetit tonë të mushkërive për të pasur dhe absorbuar ajër më të pastër”, ka deklaruar Egzona Shala, njohëse e çështjeve të ambientit.

Shala tha se Ligji për Mbeturinat përcakton qartë që hedhja e tyre duhet të bëhet nëpër vendet e caktuara. Sipas saj, edhe Ligji për Ajrin e ndalon rreptësisht djegien e gomave në natyrë.

“Thuhet specifikisht që gomat duhet të dorëzohen në vend të caktuar nga furrnitori apo përdoruesi i fundit në këtë situatë. Fatkeqësisht ende nuk e kemi këtë vend të caktuar në nivel kombëtar edhe pse ka disa iniciativa të vogla nga kompanitë”, ka shtuar ajo.

KOHA ka kontaktuar disa kompani që janë marrë paraprakisht me ripërpunimin e gomave të dala nga përdorimi, por në përgjigjet e tyre thuhet se kanë ndaluar veprimtaritë.

E në Ministrinë e Ambientit thanë se janë duke e hartuar një ligj i ri për mbeturinat, në të cilin do të përfshihet edhe trajtimi i gomave.