Ditën e gjashtë të protestës në Jarninjë, Serbia e ka vëzhguar me aeroplanë luftarakë. Të shtunën, dy aeroplanë të tillë kanë fluturuar tri herë brenda territorit serb, afër kufirit. Ndërkohë, situata te protestuesit ka vazhduar të jetë e qetë.
Për të tretën ditë me radhë, qetësinë në Jarinjë e kanë prishur mjetet ajrore ushtarake serbe.
Të shtunën, në tri raste, avionë luftarakë nga territori i Serbisë kanë vëzhguar hapësirën ku serbët lokalë vazhdojnë të mbajnë të bllokuar rrugën për në pikën kufitare.
Fiks në ora 12 është bërë manovra e parë. Dy avionët pastaj janë larguar, por për t’u kthyer sërish, saktësisht një orë pas. Brenda 6 minutash ata kanë bërë dy patrullime.
Gjysmë ore pas këtyre zhvillimeve, në hapësirën ajrore të Kosovës shfaqet një helikopter i KFOR-it. Gjendje e patensionuar ishte edhe rreth 1.3 kilometra nga pozicionimi i forcave speciale të policisë.
Edhe situata në pikëkalimin kufitar në Jarinjë vazhdon të jetë e qetë. Qytetarët serbë, të cilët në këmbë kanë vendosur ta kalojnë kufirin, kanë mundur ta kryejnë këtë procedurë normalisht, e cila po përdoret tash e gjashtë ditë.
Kurse kolona në anën serbe të kufirit ishte e zakonshmja që nga dita e hënë.
Protestuesit u shtuan në numër gjatë orëve të pasdites. Të shtunën ka ndryshuar orari i zëvendësimit të pjesëtarëve të policisë. Ata janë ndërruar në orën 4 të mëngjesit.