Institucionet për parandalimin dhe menaxhimin e rasteve të zjarreve gjatë sezonit veror, të mërkurën kanë mbajtur një takim, në të cilin ndër të tjera është diskutuar edhe mundësia ligjore e sanksionimit me mospërfshirje në programe të subvencionimit për të gjithë ata pronarë që djegin sipërfaqet e tokave të tyre.
Në një njoftim të Policisë së Kosovës, dërguar mediave, thuhet se referuar sezonit veror në të cilin ndodhemi dhe temperaturave të larta që e karakterizojnë këtë sezon, vlerësohet se rritja e rrezikut për shfaqjen e zjarreve dhe përhapjen e shpejtë të tyre është potencial.
“Zjarrvëniet e qëllimta dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia janë vepra penale dhe sanksionohen me ligj. Gjithashtu nga përfaqësues të ministrisë kompetente (MBPZHR) u diskutua edhe mundësia ligjore e sanksionimit me mos përfshirje në programe të subvencionimit për të gjithë ata pronar të tokave që djegin sipërfaqet e tokave të tyre”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim thuhet se është diskutuar për modalitetet e veprimit në rast të raportimit apo identifikimit të rasteve të zjarreve apo zjarrvënieve.
“Autoritete apelojnë tek të gjithë qytetarët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe tokësore-hamullore, etj, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarr-vënie, pasi do të përballen me pasojat ligjore. Po ashtu, apelohet fuqishëm që për çdo rast të identifikuar të zjarreve të njoftohen numrat emergjent pa pagesë: AME (112), Policia (192) dhe Zjarrfikësit (193), për reagim sa më efikas”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu është kërkuar bashkëpunim me Policinë e Kosovës, AME-në dhe autoritetet tjera në identifikimin e personave që potencialisht mund te jenë shkaktar të rasteve të tilla të zjarreve që mund të rrezikojnë sigurinë e përgjithshme dhe të dëmtojnë ambientin.
“Policia e Kosovës është e përkushtuar që në bashkëpunim me autoritetet kompetente çdo rast ta hetojë dhe të iniciojë procedurë ligjore, si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të gjithë ata persona të dyshuar që janë të përfshirë në vepra të tilla të zjarr-vënieve apo në një mënyrë tjetër rrezikojnë sigurinë e përgjithshme”, thuhet në njoftim.
Takimi është zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë, dhe aty kanë marrë pjesë përfaqësues të Policisë së Kosovës, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe drejtori i Departamentit për Siguri Publike, nënkolonel Arbnesh Ajvazi.