Kanë kaluar shumë vjet nga miratimi i Ligjit të Punës në Kosovë, e shumë dispozita të tij vazhdojnë të mos zbatohen. Kjo ka ndikuar në përjashtimin e grave nga tregu i punës për shkak të diskriminimit gjinor. Aktivistet dhe organizatat e grave kërkojnë që Qeveria të marrë masa konkrete për të bërë plotësim-ndryshimin e këtij ligji
Ka më shumë se 12 vjet që kur ka hyrë në fuqi Ligji i punës, por tash e një dekadë ndryshimet e premtuara për këtë ligj nuk po gjejnë vend në kalendarin legjislativ.
Ndonëse kryeministri Albin Kurti ka bërë disa herë premtime se gjatë mandatit të qeverisjes së tij do të bëhen ndryshime në këtë ligj dhe ai do të vihej në diskutim publik, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Aktivistja Brikenë Hoxhaj ka thënë se moszbatimi i disa dispozitave të ligjit aktual kanë ndikuar drejtpërdrejt në përjashtimin e grave nga fuqia punëtore.
Ajo ka theksuar se moszbatimi i tij ka bërë që të ketë diskriminim gjinor në punësim, pasi, sipas saj, shumë punëdhënës shmangin përgjegjësinë e pagesës së pushimit të lehonisë.
“Prej kur ka hyrë në fuqi ky ligj, ka pasur moszbatim të shumë dispozitave. Një prej tyre është kompensimi i lejes së lehonisë. Ky kompensim shkon 70% e pagës. Gjatë muajve të parë bëhet nga bizneset. Në Kosovë, 80 deri 90% e bizneseve janë të mesme dhe të vogla, kjo krijon një barrë jashtëzakonisht të madhe për bizneset. Kjo i shtyn ato që të diskriminojnë gratë dhe kështu sot kemi 2 në 10 gra të punësuara”, ka thënë ajo.
Forumi Ekonomik i Grave ka kërkuar nga Qeveria që të bëjë kompensimin e pagës për gratë lehona për 6 muaj.
Saxhide Mustafa e cila është koordinatore e Forumit Ekonomik të Greve, thotë se pavarësisht kërkesave të përsëritura dhe reagimeve të shumta nga ky forum, Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për këtë çështje.
“Gratë e reja, nënat e reja po ju vështirësohet edhe më shumë planifikimi i familjes, ato qysh në intervista edhe pyeten për këtë çështje, nuk marrin kontrata afatgjata, por edhe nëse kanë kontrata afatgjata në vendin e punës kur shkojnë, kur kërkojnë lejen e lehonisë ato nuk paguhen nga punëdhënësi”, ka theksuar Mustafa.
E avokatja, Valtida Shukriu, është shprehur se mosdefinimi i mirë ka lejuar që ky ligj të interpretohet në mënyra të ndryshme nga aspekti i gjyqësorit.
“Raste konkrete kemi me specifikimin e ndërprerjes së kontratës apo shkëputjes së kontratës gjatë pushimit ose lejes se lehonisë. Shumica e punëdhënësve krijojnë kontrata me afat të shkurt ligjor, me afat të caktuar. Arsyetimi i tyre bazë është se nuk shkëputet marrëdhënia e punës mirëpo ajo përfundon në bazë të periudhës të caktuar kohore”, ka thënë ajo.
Që nga viti 2010 kur u bë miratimi i këtij ligji asnjëherë për arsye të ndryshme nuk është bërë ndryshimi i këtij ligji, edhe pse është premtuar nga shumica e qeverive.