Bizneset në veri përveçse përdorin dinarin, ato nuk lëshojnë as kuponë fiskalë për shitjet që bëjnë. E autoritetet e shtetit nuk dhanë kurrfarë përgjigjeje mbi këto veprime të kundërligjshme që hasen në këtë pjesë të Kosovës
Qytetarët në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës vazhdojnë të mos i binden ligjit. Ndonëse me Kushtetutë, Ligj e Rregullore valuta e vetme e vlefshme për qarkullim është euroja, në veri përdoret ende lirshëm dinari. Për t’u vërtetuar se pagesat kryhen kryesisht me këtë valutë, KOHA ka bërë blerje në disa prej marketeve në këtë pjesë. Disa nga dyqanet pranojnë edhe euro, por kusuri kthehet në dinarë. E, në disa të tjera valuta këmbehet varësisht si i përshtatet konsumatorit.
Faturat që lëshohen nuk dëshmojnë se për produktet e blera paguhet edhe tatimi ndaj shtetit. Aty tregohet vetëm totali i blerjeve dhe për komunën shkruhet termi i kundërligjshëm “Kosovska Mitrovica”.
Por, nuk janë vetëm qytetarët serbë ata që operojnë me dinarë. Në “Lagjen e Boshnjakëve” dhe te tregtarët shqiptarë shkojnë njëjtë, si euroja, si dinari.
Në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme, thotë Kushtetuta. Sipas ligjit, euroja është kartëmonedha e lejuar. Autoritetet shtetërore nuk kanë dhënë kurrfarë përgjegjësie për situatën kur janë pyetur nga KOHA.
Banka Qendrore më 1 shkurt futi në fuqi Rregulloren për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila thekson se në Kosovë euroja është e vetmja valutë që përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar të pagesave.
Në një përgjigje për KOHËN, ky institucion bëri të ditur se Rregullorja po zbatohet në institucione financiare dhe gjatë furnizimit të parasë në ekonomi nga BQK-ja direkt.
“Ne nuk kemi raportime apo informacione që mund të ishin nën fushëveprimin e BQK-së për të vepruar. Sa i përket sektorit jofinanciar dhe qytetarëve, mospërfshirja në aktivitete të palejueshme dhe rreziku nga to është një nga udhëzimet e vazhdueshme që ne japim përmes edukimit financiar. Sigurisht nëse ato hasen mund të jenë subjekt i institucioneve shtetërore zbatuese të ligjit që kanë mandate përkatëse dhe në atë fushëveprim. BQK-ja shprehet gjithnjë e gatshme të bashkëpunojë në zbatim të ligjshmërisë dhe arritjen e objektivave ligjore e strategjike brenda mandatit të saj”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Për inspektimin e mundshëm në veri ndaj bizneseve që operojnë me dinarë dhe atyre që nuk lëshojnë kuponë fiskalë nuk dhanë përgjigje as në Ministri të Financave, as në Administratën Tatimore të Kosovës.
Në komunat e banuara kryesisht me serbë në jug të Ibrit është tjetër realitet. Në qytetin e Graçanicës në disa prej marketeve nuk i pranuan dinarët për pagesë, me arsyetimin se nuk kryhen më blerje me to.
Në vitin 2002 Kosova e zëvendësoi markën gjermane me euron. E nga 2008-a Kushtetuta e përcaktoi që valuta zyrtare e vendeve evropiane është e vetmja e vlefshme edhe në Kosovë.