Arbëri

Digjitalë në shtëpi, klasikë në shkollë

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani"!

Inteligjenca Artificiale është duke e revolucionarizuar mënyrën e të mësuarit në të gjithë globin, por ende nuk e ka gjetur vendin në shkolla e universitete në Kosovë. Telefonat e mençur në xhepat e nxënësve dhe studentëve janë shpesh më të avancuar se çdo pajisje që ofrojnë klasat dhe kabinetet. Prandaj nxënësit nuk varen më vetëm nga librat dhe mësuesit; ata kanë në dispozicion ndihmës të rinj digjitalë që ua mundësojnë personalizimin e mësimit. Kjo ngjall entuziazëm, por edhe frikë

Në dërrasën e zezë mësuesja po i liston me shkumës pikat kryesore të njësisë mësimore që po e zhvillon në një klasë në gjimnazin “Ahmet Gashi” në kryeqytet.

Një nga to ia ngacmon kureshtjen nxënëses Albiona Buzaku.

Kuptimi i termit “rift kontinental” nuk i kujtohet. Por nuk e ndërpret mësuesen. Vendos që përgjigjen ta gjejë vetë dhe shpejt, dhe as duke e shfletuar librin.

Përgjigjet rrufe sot sigurohen në platformat e Inteligjencës Artificiale, dhe një të tillë Albiona e ka të instaluar në telefonin e mençur të saj. Prandaj, në pak sekonda ajo e mësoi se “rift kontinental” është një term gjeologjik që i referohet një zone në koren e tokës, ku kontinenti fillon të çahet dhe të ndahet për shkak të forcave tektonike që e tërheqin atë. Një shpjegim më i gjerë tregon se ky proces ndodh kur pllakat tektonike largohen nga njëra-tjetra, duke krijuar çarje, gjysmëgropa dhe luginat e riftit.

“Inteligjenca Artificiale po na ndihmon çdo ditë në aspekte të ndryshme të jetës”, tregon Albiona. “Gjatë procesit mësimor shpesh lindin pyetje të cilat mund të na pengojnë në kuptimin e materialit. Nëse ka ndonjë paqartësi e përdorim për të marrë një shpjegim të detajuar, qoftë për një detyrë në lëndë të ndryshme – matematikë, shkenca natyrore apo shoqërore, ose për çdo koncept që nuk e kuptojmë gjatë mësimit”.

Inteligjenca Artificiale, apo ndryshe siç njihet AI, janë programe softuerike që imitojnë aftësitë e njeriut. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO,  AI mundëson krijimin e sistemeve që “mendojnë” dhe veprojnë si njeriu, duke zgjidhur probleme dhe duke analizuar të dhëna më shpejt dhe më efiçiente.

Sipas “Agjendës Globale të Edukimit  2030”, inkuadrimi i AI-së në institucionet arsimore është një nga objektivat kryesore në transformimin e arsimit. Kjo vlerësohet se është thelbësore për t’i përgatitur të rinjtë për tregun e punës në të ardhmen.

Valbonë Dragusha, mësimdhënëse në shkollën profesionale “Gjin Gazulli” në Prishtinës, thotë se i mëson dhe i inkurajon nxënësit e saj të përdorin platformat e AI-së. Të njëjtën gjë e bën edhe me kolegët e saj.

“Edhe nxënësve iu them se me rëndësi është ta dini logjikën se si po shkon një detyrë. Nuk është me rëndësi ku e merr kodin. Në momentin që e di logjikën, ecurinë e një detyre, nuk është me rëndësi ku e merr kodin e ku hulumton, e ‘Chatgpt’ është pjesa më e rëndësishme ku informohet një pjesë jashtëzakonisht e saj”, ka thënë ajo.

Ecja me AI-në

Deri tash sistemi arsimor është treguar indiferent ndaj revolucionit të AI-së. Inteligjenca Artificiale “nuk shihet” në planprogramet e arsimit parauniversitar, ndonëse UNESCO ka rekomanduar se për nxënësit mbi moshën 13 vjeç është e rëndësishme përfshirja e koncepteve bazë të AI-së, si algoritmet e analizimi i të dhënave, si hapa të nevojshëm në krijimin e një themeli të fortë për studimet e tjera në këtë fushë.

Njësoj situata është edhe në arsimin e lartë, në nivelin ku të rinjtë profesionalizohen për t’u përfshirë në tregun e punës.

Blerim Rexha është profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës. Ai tregon se është i përfshirë përdorimi i AI-së në planprogramet e fakultetit, por se përdorimi i platformave të bazuara në Inteligjencën Artificiale nuk është i institucionalizuar.

“Pjesë e madhe e këtyre shërbimeve ofrohen me pagesë. Institucionet hezitojnë të bëjnë këto pagesa, por të gjithë ne profesorët edhe studentët e përdorim në masën, të themi, të përditshme për të lehtësuar punët tona”, ka treguar Rexha, i cili është profesor i lëndëve që lidhen me sigurinë kibernetike.

Ai thotë se përfshirja e AI-së në sistemin arsimor është e domosdoshme për të prodhuar kuadro kompetente për nevojat e tregut të punës.

“Pra, kërkesat e tregut të punës kanë ndryshuar dhe ne duhet t’i përqafojmë. Ne duhet t’i mësojmë të rinjtë tanë, studentët, t’i përdorin këto vegla. Përndryshe, nëse nuk i përdorin, do të jetë më se e ngjashme sikurse me gjeneratën e rrënjës katrore, sepse veglat e reja kërkojnë avancim”, ka thënë ky profesor.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) promovon politikat që përmirësojnë mirëqenien ekonomike dhe sociale të njerëzve në mbarë botën. Ajo ka rekomanduar që edukimi duhet të fokusohet te zhvillimi i aftësive si mendimi kritik, zgjidhja e problemeve, kreativiteti dhe aftësitë teknologjike, të cilat janë jetike në një botë ku Inteligjenca Artificiale ka ndryshuar natyrën e punës.

Shtetet e zhvilluara kanë filluar t’i përdorin programet softuerike për të përshtatur planprogramet mësimore për nevojat individuale të nxënësve e studentëve.

Universiteti Kombëtar i Singaporit ka filluar të zbatojë platformën e menaxhimit të mësimit të bazuar në Inteligjencën Artificiale, e cila përshtat materialet mësimore në bazë të performancës dhe nivelit të të nxënit të studentëve.

Lindita Camaj është profesoreshës në Kolegjin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Floridas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo thotë se  përdorimi i AI-së ndihmon edhe në zbatimin e arsimit gjithëpërfshirës.

“AI-ja ka potencial që të rrisë aksesin për nxënës me aftësi të ndryshme, duke ofruar mjete siç janë ato për përkthim të tekstit në të folur (lexim me zë) në kohë reale, që u ndihmojnë studentëve me aftësi të kufizuara të shikimit, ose me pengesa gjuhësore”, tregon ajo.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, në Kosovë numri i fëmijëve me aftësi të kufizuara që vijojnë mësimin në institucionet arsimore është rreth 4 mijë. Ata përballen me qasje të kufizuar në objekte shkollore, e po ashtu e mbajnë procesin mësimor pa asistencë shtesë. Për nxënësit e verbër është premtuar tash e tre vjet zhvillimi i sintezës vokale, që mundëson gjenerimin e zërit nga teksti i shkruar. Por kjo teknologji ende nuk është inkuadruar në institucionet arsimore.

Klasat klasike

UNESCO mbështet idenë që mësimdhënësit të inkuadrojnë përdorimin e Inteligjencës Artificiale në klasa, duke siguruar që ajo të përshtatet me qëllimet pedagogjike dhe standardet etike. Por përdorimi i AI-së kërkon edhe infrastrukturë digjitale.

Sipas të dhënave të paraqitura në Strategjinë e Arsimit, rreth 350 shkolla amë dhe paralele të ndara në Kosovë nuk kanë qasje në internet. Ndërsa numri i kompjuterëve në nivel vendi është 1 për rreth 35 nxënës.

Albesa Tahiri është nxënëse në gjimnazin “Ahmet Gashi” dhe i përket gjeneratës që jeton në epokë ku teknologjia është në majë të gishtave, por jo në bankat e shkollës. Telefonat e mençur në xhepat e nxënësve janë shpesh më të avancuar se çdo pajisje që ofron klasa.

“Nëse do t’i kishim pasur tabelat digjitale, gjithçka do të ishte shumë më e thjeshtë. Jemi në shekullin XXI, por ende punojmë me shkumës dhe shpuzë, gjë që e bën shumë të vështirë, sidomos për lëndët shkencore dhe shoqërore. Pajisjet teknologjike do të na ndihmonin jashtëzakonisht shumë”, thotë Albesa, e cila vë theksin te hendeku mes teknologjisë që nxënësit posedojnë dhe asaj që shkolla ofron.

Profesori Rexha thotë se kontrasti mes ambienteve të shkollave dhe botës digjitale me të cilën nxënësit janë të rrethuar në përditshmërinë e tyre ndikon në rënien e kreativitetit dhe të mendimit kritik.

“Është një kontrast i madh që kemi në Kosovë, po edhe në rajon, që fëmijët tanë janë digjitalë në shtëpi dhe janë shumë klasikë në shkollë. Ende në shkollat tona ekziston modeli i, themi, kohës së Gjermanisë, kur u zbulua shkollimi që shkolla të jetë diçka sikurse ushtria, bankat, karriget, nxënësi ulet dhe nuk guxon të ngrihet, edhe ky model i shkollës duhet të largohet”, thotë profesori Rexha.

Ai thekson nevojën për transformim të mjediseve shkollore, siç janë shkollat Montessori, ku nxënësit inkurajohen të eksplorojnë, të krijojnë dhe të mësojnë në mënyrë më të pavarur.

“Nëse duam që fëmijët tanë të jenë të përgatitur për botën që shohin çdo ditë në pajisjet e tyre, duhet të investojmë në një sistem arsimor që reflekton këtë botë – jo një që i mban ata të lidhur me të kaluarën”, thotë Rexha.

E, profesoresha Camaj shpreh bindjen se AI-ja ka potencial për të revolucionarizuar arsimin, duke adresuar disa nga sfidat me të cilat përballen sistemet arsimore, siç janë rënia e interesimit për mësimnxënie, si dhe braktisja e shkollës. Sipas saj, efekti i AI-së është i dyfishtë, jo vetëm që transformon metodologjitë e mësimdhënies, por ndikon edhe në mënyrën se si nxënësit studiojnë dhe angazhohen gjatë procesit mësimor.

“Potenciali i AI-së rritet në mënyrë të jashtëzakonshme kur është i integruar me arsimin digjital”, thekson ajo.

Camaj thotë se nëse Kosova dëshiron të përfitojë nga ky revolucion teknologjik, duhet të bëjë investime të domosdoshme në digjitalizimin e shkollave dhe klasave në të gjitha nivelet arsimore. Ajo këmbëngul se vetëm përmes këtyre investimeve shteti mund të përqafojë transformimin që AI-ja mund të sjellë dhe t’i përgatisë të rinjtë për sfidat e një bote gjithnjë e më shumë të ndikuar nga teknologjia.

Ndonëse janë premtuan 18 milionë euro për digjitalizimin e shkollave, deri tani nuk është shpenzuar asnjë cent nga Ministria e Arsimit. Ndërkaq për 3 milionë euro është zvogëluar buxheti i përgjithshëm për blerjen e pajisjeve teknologjike për vitin 2025.

“Robotizimi i mësimdhënësve”

Përkundër sfidave, sipas planit të Agjendës Globale të Edukimit, mësimdhënësit do të duhet të përshtatin qasjet e tyre pedagogjike me zhvillimin teknologjik. Mësuesi mund të mos zëvendësohet nga robotët, por në agjendë parashihet që të “robotizojë” disa aspekte, duke marrë përsipër planifikimin e orëve, përgatitjen e materialeve, ofrimin e komenteve për studentët dhe vlerësimin e detyrave.

Profesori Blerim Rexha reflekton mbi transformimin e rolit të mësimdhënësit në epokën moderne, duke theksuar se ndikimi i tij si burim i vetëm i dijes ka rënë ndjeshëm.

“Ka goxha një kohë që nuk është më burimi i vetëm i dijes. Derisa para 50 vjetëve mësuesi ka qenë i vetmi burim i dijes në fshat, në lagje e të tjerë, sot mësuesi është njëri nga shumë dhe aspak më i rëndësishmi i dijes”, thotë ai.

E, profesoresha Valbonë Dragusha këmbëngul se nuk mund të zëvendësohen aftësitë unike të mësimdhënësit.

“Nuk mundet një mësimdhënës të zëvendësohet nga ‘Chatgpt’. Ai mund të të orientojë, por jo ta zëvendësojë. Te mësimdhënësit nuk duhet të ekzistojë kjo frika që të ndryshojnë me kohën, pasi duhet të shkojnë duke u përditësuar, pasi faktikisht është koha jonë ku jetojmë. Nuk duhet të sillemi sikur në kohën kur unë vetë kam mësuar në këtë shkollë që nuk e kam parë as kompjuterin me sy”, thotë ajo.

Frika nga “kalbja e trurit”

“Kalbja e trurit” është përzgjedhur si fjala e vitit nga Oxford University Press për vitin 2024, për të pasqyruar shqetësimet rreth ndikimit të konsumimit të tepruar të përmbajtjeve pa vlerë në internet, veçanërisht në rrjetet sociale.

Studiues kanë vlerësuar se AI-ja ka edhe dëme.

Sipas një studimi të publikuar në “National Library of Medicine”, mbi ndikimin e chatbots-it të Inteligjencës Artificiale në shëndetin kognitiv, kjo mund të dobësojë funksionet kryesore mendore; si memorien, arsyetimin analitik dhe aftësinë për t’i përfunduar detyrat dhe përgjegjësitë në mënyrë të pavarur.

Edhe studentët e Departamentit të Anglishtes në Fakultetin e Filologjisë kanë bërë një hulumtim vitin e kaluar, në të cilin 73 për qind e 100 të intervistuarve nga të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës kanë pranuar se përdorin platformat e Inteligjencës Artificiale, dhe se përgjigjet e siguruara në to u kanë ndihmuar për të marrë nota më të mira.

Profesoresha Lindita Camaj shtron nevojën që përdorimi i AI-së të balancohet me udhëzime njerëzore.

“Kur studentët më pyesin pse duhet të mësojnë të shkruajnë mirë kur ekziston ‘ChatGPT-ja’, përgjigjja ime është e qartë: Sepse gjithkush ka qasje në të, dhe kjo të bën mediokër”, thotë ajo dhe insiston se aftësia për të menduar në formë kritike – si cilësi që ka dalluar njerëzimin për shekuj me radhë – është në rrezik të humbë nëse nuk shihet AI-ja si mjet për të zgjeruar horizontet intelektuale, e jo për t’i kufizuar ato. “Mendoj se AI-ja ka potencial që të rrisë këtë kapacitet kreativ. Nuk do të kemi më nevojë të shpenzojmë kohë për të zotuar aftësi bazike apo për të bërë punë të vogla administrative, mbasi kjo punë do të bëhet nga AI-ja”.

Edhe nxënësit në Kosovë shohin pasoja, nëse abuzohet me përdorimin e Inteligjencës Artificiale.

Gjimnazistja Albesa Tahiri tregon se shpesh, kur përballet me një detyrë, opsioni i parë për ndihmë që i vjen ndërmend është “ChatGPT”-ja.

“Unë mendoj se nuk do të ndikojë mirë, për arsye se duke marrë parasysh që po e përdorim shumë, atëherë ka lindur problemi që po përtojnë shumë, po përtojmë me e lodhë trurin tonë e me e futë në funksion”, thotë ajo. “Nëse një detyrë është shumë e thjeshtë e na mundemi me e zgjidhë vetë, e kemi marrë si perceptim në tru që menjëherë me i shkru ‘ChatGPT’-së”.