Për rastet e dhunës psikologjike që raportohen në Kosovë dhe që evidentohen edhe në raportet ditore të Policisë, sociologia Bukurije Rrustemi thotë se normalizohen si nga shoqëria, ashtu edhe nga autoritetet. “Shoqëria jonë në përgjithësi ka një nivel të ulët të njohurive dhe njohjes së formës së dhunës psikike, shpeshherë e sheh dhunën psikologjike si të arsyeshme e normale dhe nuk mund ta kuptojë dhe ta dallojë atë që realisht ka efekte dhe pasoja shumë të mëdha”, ka thënë ajo
Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Polici. Në dy prej tyre – në Podujevë dhe në Rahovec – gratë i kanë raportuar bashkëshortët e tyre për sulm fizik.
Burri i raportuar në Rahovec, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa ai në Podujevë është liruar në procedurë të rregullt.
Krahas dhunës fizike, tri gra në Lipjan dhe në Pejë i kanë raportuar familjarët e tyre për ushtrim të dhunës psikike ndaj tyre.
Tre të arrestuarit për keqtrajtim psikologjik janë liruar në procedurë të rregullt.
“Pejë 20.07.2024 - 13:18. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij, viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, palët janë liruar në procedurë të rregullt”, është bërë e ditur në njërin prej rasteve që janë evidentuar në raportin 24-orësh të Polici.
Për rastet e dhunës psikologjike, sociologia Bukurije Rrustemi thotë se ato normalizohen si nga shoqëria ,ashtu edhe nga autoritete.
“Shoqëria jonë në përgjithësi ka një nivel të ultë të njohurive dhe njohjes së formës të dhunës psikike, shpesh herë e sheh dhunën psikologjike si të arsyeshme e normale dhe nuk mund ta kuptojë dhe ta dallojë atë që realisht ka efekte dhe pasoja shumë të mëdha”, ka thënë ajo.
Sipas saj, rastet e raportuara janë të ulëta në krahasim me përmasën e fenomenit.
“Dhuna psikologjike është një nga format më të shprehura të dhunës. Fatkeqësisht kjo është një formë e dhunës që më së paku raportohet. Arsyet e dhunës psikologjike kanë të bëjnë, në përgjithësi, me nivel të ulët të shkollimit, emancipimit të shoqërisë, me një kulturë të ulët familjare, me një edukim dhe rritje të fëmijëve të papërgjegjshme”, ka thënë Rrustemi.
Statistika të veçanta për raste e dhunës psikike në Polici kanë pranuar se nuk posedojnë. Në një përgjigje për KOHËN, në këtë institucione kanë theksuar se rastet e keqtrajtimeve psikike inkuadrohen në statistikat e dhunës në familje.
“Policia, rastet i evidenton sipas kodit penal të RKS-së, andaj për veprat penale që parasheh/specifikon ky kod, lirisht na shkruani dhe ne ju përcjellim statistikat që ju nevojiten”, është thënë në përgjigjen e Policisë. “Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është e rëndësisë së veçantë (primare), trajtimi i tillë i rasteve ka bërë që të rastet e kësaj natyre të raportohen pa hezitim nga viktimat e rasteve dhe nga dëshmitarë”, kanë thënë më tej në Polici.
Sipas Konventës së Stambollit, e cila është e përfshirë në Kushtetutën e Kosovës, parashihet që institucionet të kenë të dhëna specifike në lidhje me rastet e të gjitha formave të dhunës.
“Për qëllim të zbatimit të kësaj Konvente, palët marrin përsipër: të mbledhin të dhëna përkatëse të zbërthyera statistikore, në intervale të rregullta kohore, në lidhje me rastet e të gjitha formave të dhunës të mbuluara nga objekti i kësaj Konvente”, shkruan në nenin 11 të Konventës.
Bazuar në statistikat e përgjithshme të Policisë, në gjashtëmujorin e parë të vitit janë raportuar afro 1.459 raste të dhunës në familje, në 1.198 prej tyre viktima janë gratë.