Arbëri

Dhjetëra qytetarë nga Gjilani në mënyrë të organizuar shkuan për votim në Luginë

Një numër i qytetarëve të Luginës janë nisur nga Gjilani për ta ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë. Transporti është siguruar falas nga Komuna e Gjilanit, mirëpo shumë prej tyre udhëtuan me vetura personale. Ata shprehën pakënaqësitë e tyre lidhur me pasivizimin e adresave.

Që në orët e hershme të mëngjesit dhjetëra qytetarë të Luginës janë nisur nga Gjilani për ta ushtruar të drejtën e votës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë

Ani pse transporti ishte siguruar falas nga Komuna, pak qytetarë të Luginës që jetojnë në Gjilan e shfrytëzuan këtë mundësi. Shumë prej tyre zgjodhën udhëtimin me vetura personale.

Qytetarë të cilët udhëtuan më autobusë dhe kombi-busë, shprehën pakënaqësitë e tyre për pasivizimin e adresave.

“Po bëhet pasivizimi i adresave tona si asimilim i asaj ane edhe ne kërkojmë të drejtat e tona... Presim diçka më mirë për shqiptarët tonë për anën e Luginës. Mendoj që të na përfaqësojë dikush në Parlament për të drejtat tona, për flamur e gjitha këto të tjerat”, ka thënë Xhavit Shabani, votues në Luginë.

E disa votues të tjerë që ia mësynë Bujanocit thonë se presin përfaqësim të denjë e kërkuan që shqiptarët të jenë të bashkuar.

“Për fat të keq jemi të përçarë.. Kërkesat të cilat i kërkojnë serbët në Kosovë edhe na ato të drejta i duam. Më së paku janë ato. Na takojnë më tepër, por më së paku ato të drejta i duam”, është shprehur, Emin Sopi, votues në Luginë.

“Asnjë të drejtë që duhet ta kemi ne si shtetas të Republikës së Serbisë ne nuk e kemi, ne nuk na llogaritin që jemi qytetarë të tyre. Mendoj që diçka do të bëhet më mirë. Më mirë ta kemi dikë të na përfaqësojë, se askush”, ka deklaruar Xhevat Mehmeti, votues në Luginë.

Zyra për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në kuadër të Komunës së Gjilanit ka organizuar transportin e qytetarëve. Enver Haziri, zyrtar i kësaj zyre, deklaroi se Serbia ka punuar vazhdimisht që të ulë numrin e votuesve shqiptarë në zgjedhjet e tanishme.

“Serbia e ka bërë një lloj spastrimi etnik modern me metoda administrative duke ja pasivizuar adresat, duke ja marrë letërnjoftimet dhe pasaportat atyre të cilët i kanë dhe duke mos ja dhënë atyre që nuk i kanë dhe kështu ka bërë që numri i votuesve në Kosovën Lindore të jetë shumë i vogël”, ka thënë Haziri.

Shkaku që shumë qytetarë ia mësynë Serbisë për të votuar ka bërë që të ketë pritje e kolona të gjata edhe në pikkalimin te Dheu i Bardhë, si dhe ai në Muçibabë.