Infeksionet mykotike

Dhjetëra qytetarë infektohen nga qentë endacakë

Një numër qytetarësh nga Lipjani kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pas infeksioneve mykotoke, që, sipas mjekëve, janë bartur nga qentë endacakë. Qytetarët i përshkruajnë si të rënda infeksionet dhe thonë të jenë përballur me to edhe më përpara. E në shkollën e mesme “Ulpiana” bëjnë thirrje të ndërmerren masa, në mënyrë që infeksioni të mos përhapet te nxënësit.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan kanë kërkuar ndihmë dhjetëra qytetarë me infeksion mykotik të kokës dhe të trupit. 

Mjekët thanë se infeksioni më së shumti bartet nga qentë endacakë.

“Është një infeksion mykotik që në Komunën e Lipjanit është paraqitur sidomos te fëmijët shkollorë, qoftë të shkollave fillore dhe të mesme. Është infeksion që përhapet prej kafshëve në njerëz, sidomos prej kohëve të fundit nga qentë endacakë te njerëzit. Pastaj infeksioni shkon dhe përhapet prej njeriut në njeri”, ka treguar Selvete Veliu, specialiste e mjekësisë familjare në QKMF-në në Lipjan.

Doktoresha Veliu tha se disa nga rastet janë referuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Ajo ka rekomanduar qytetarët të mos ulen nëpër karrige nëpër ambiente të hapura, e të cilat potencialisht preken nga qentë endacakë.

Qytetarë të Lipjanit thanë se edhe më herët janë përballur me infeksione të këtilla.

“Përpara ka pasur dhe i kanë shëruar nënat tona me disa barna natyrale e tash po dëgjoj se është përhapur, por nuk është e lehtë e sidomos për fëmijë sepse fëmijët i mundon, u jep temperatura të larta”, ka thënë Hasim Salihu, banor nga fshati Banullë.

“Dikujt i dalin nëpër duar, por shërohen me disa farë yndyrnash nga mjeku. Është shqetësuese sepse nuk është e mirë”, ka theksuar Vehbi Sinani, banor i Resinocit.

Drejtori i gjimnazit “Ulpiana” në Lipjan, Semir Gashi, shtroi nevojën për parandalim të infeksionit, në mënyrë që ai të mos përhapet te nxënësit. Sipas mjekëve, infeksioni përhapet përmes kontaktit të personave të infektuar.

“Kërkoj një bashkëpunim të mirëfilltë edhe me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, por edhe me institucionet e tjera, me prindërit dhe me nxënës që të na japin emrat e saktë të rasteve që ata fëmijë për sa ditë të shërohen, të qëndrojnë në shtëpi, mos të vijnë në shkollë, pasi që mund të jetë një sëmundje jo e rrezikshme, por mund të jetë ngjitëse”, ka thënë Gashi.

QKUK-ja e as SHSKUK-ja nuk kanë treguar nëse raste të këtilla infektimi janë shënuar edhe në komuna të tjera.