Afro 19 mijë insulina për pacientët e prekur nga diabeti planifikohej të bliheshin nga Ministria e Shëndetësisë. Por, tenderi për këtë furnizim i shpallur nga Ministria e Shëndetësisë është anuluar dhe ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) pas ankesës së kompanisë “Exlusiv”.
Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar ankesën e kësaj kompanie e cila deri vitin e kaluar kishte furnizuar institucionet shëndetësore me llojin e insulinës Gensulin. Në përgjigjen që MSH-ja i ka kthyer kësaj kompanie thuhet se ky produkt ka shkaktuar disekuilibrim të vlerave të Glikemisë si hipoglikemi, hiperklikemi deri te ketoacidozë.
Më tutje në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar kompanisë “Exlusiv” thuhet se nëse pacientët kanë pasur nevojë për dozë më të lartë se 40 njësi është dashur të shpohen dy herë, numërimi u njësive të insulinës bëhet nga një njësi, ndërsa në insulinën e ofruar numërohet me dy njësi.
MSH gjithashtu ka konstatuar se është rritur numri i pacientëve me nevojë hospitalizimi me përdorimin e kësaj insuline të këtij prodhuesi dhe se ka pasur ankesa të deponuara nga pacientët për vështirësitë që kanë hasur gjatë përdorimit.
Por, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ku mbi 1500 pacientë vazhdimisht marrin insulinën thonë se rreth 95 % e pacientëve me rekomandim të endokrinologëve e marrin insulinën analoge, derisa një numër shumë i vogël e marrin insulinën humane. Por se ata nuk kanë pasur ankesa të drejta për drejta nga pacientët mbi efektin e kësaj insuline.
“Që nga fillimi kur kemi filluar këto dy lloje, gjithmonë analoge, është përdorur më shumë ndoshta edhe te reagimi më i shpejtë, mirëpo pacientët edhe rekomandimi i endokronlogëve ka qenë më i madh prej tyre të përdoret ky lloj i insulinës. Prej vitit të kaluar e kemi një sasi në stok dhe planifikimi për këtë vit ka qenë më i vogël, duke e llogaritur edhe shpenzimin, kërkesat prej pacienteve që janë në rënie. Nuk kemi sasi të madhe”, ka thënë shefi i barnatores në QKMF në Prishtinë, Fatos Aliu.
Pronari i kompanisë “Exlusiv”, i cili importon insulinën humane Gensulin, thotë se deri vitin e kaluar ai kishte kontratë me MSH-në për furnizim dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë ankesë zyrtare lidhur me kualitetin e këtij produkti.
“Ne kemi çmimin më të lirë, ndërsa konkurruesi tjetër ka tejkaluar edhe buxhetin. Por, arsyetimi i MSH-së ka qenë puna e kualitetit të produktit. Janë thirrur në kualitetin e sidomos në pene shiringën në të cilën aplikohet insulina. Unë mendoj që as ata vetë nuk e dinë, ngase për këto insulina kanë bërë shumë zhurmë. I kanë i bërë analizat në Kroaci dhe në vitin 2018 kemi bërë kontratë deri në mars të 2019. E kanë marrë mallin e kemi liferuar pa asnjë ankesë. Asnjëherë nuk kemi asnjë ankesë për këtë produkt as prej AKPM-së”, ka thënë pronari i kompanisë “Exlusiv”, Burim Shkodra.
KOHA ka kërkuar sqarime nga QKUK nëse ka pasur ankesa nga pacientë lidhur me përdorimin e këtij lloji të insulinës. Në QKUK vetëm kanë treguar se nuk ka kontratë për furnizim me këtë produkt.
“Furnizimi momental me insulina është i qëndrueshëm në nivel të ShSKUK-së. Insulinën për të cilën është shfaqur interesim nuk ka kontratë valide për furnizim në ShSKUK dhe rrjedhimisht nuk është liferuar ndonjëherë”, ka qenë përgjigjja e QKUK-së.
Ministria e Shëndetësisë përmes një përgjigjeje me shkrim, nuk ka dhënë sqarime për pretendimet e saj lidhur me problemet shëndetësore të shfaqura te pacientët, por vetëm ka konfirmuar se është anuluar ky tender në mungesë të ofertuesve të përgjegjshëm.
“MSh-ja e ka anuluar aktivitetin e prokurimit: “Furnizim me Insulinë nga Lista Esenciale” në mungesë të ofertave të përgjegjshme. Komisioni vlerësues i përbërë nga profesionistë të kësaj fushe (endokrinologë) e ka bërë vlerësimin e këtij aktiviteti dhe ka rekomanduar për anulimin, sepse të dy ofertat e pranuara janë të papërgjegjshme. OE "Exlusive" sh.p.k, ka dorëzuar ankesë në OSHP për këtë aktivitet dhe MSh-ja aktualisht është në pritje të vendimit nga OSHP-ja”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Dy vjet më parë disa endokrinologë kanë ngritur shqetësimin lidhur me përdorimin e insulinës humane, e cila sipas tyre, nuk ishte e regjistruar në Agjencinë Evropiane të Barnave derisa ata vetë nuk rekomandonin pacientët e tyre që të përdornin këtë lloj të insulinës.