Arbëri

Dështon sërish miratimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës

Perparim Rama

Foto: Driton Paçarada

Në mungesë të opozitës Kuvendi Komunal i Prishtinës ka dështuar që ta miratojë buxheti e Komunës për vitin 2025. 

Në seancë nuk kanë marr pjesë asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ndërkohë që ata të Lëvizjes Vetëvendosje janë larguar nga salla. 

Asamblisti i LVV-së Feim Osmani ka thënë se drafti i buxhetit duhet të ndryshohet në mënyrë që ata ta përkrahin. 

“Nuk ka asnjë ndryshim që nga drafti i kaluar i buxhetit. Diskriminimi për zonat rurale është shumë i dukshëm. 2 milionë euro me 30% të popullsisë që jeton në zona rurale ne kemi pasur premtime. Investimi është shumë i paktë. Sot ne nuk mendojmë që ky buxhet të votohet. Për të marrë votën tonë ky buxhet duhet të ndryshohet”, ka theksuar ai.

Ndërkohë që kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ka thënë se gjatë hartimit të buxhetit janë marrë parasysh të gjitha kërkesat.

“Të gjitha procedurat i kemi diskutuar dhe i kemi treguar në seanca të tjera. Planifikimi është shumë transparent. Të gjitha kërkesat janë marrë dhe drejtoritë i kanë pasur parasysh. Kemi bërë një punë të madhe për projekte të tanishme. Nuk mundemi vetëm me buxhetin e Investimeve kapitale për të bërë të gjitha këto. Ato që thatë nuk janë të vërteta aspak”, ka theksuar Rama.

Buxheti i propozuar për vitin 2025 për kryeqytetin është 128 milionë, 3 milionë më shumë sesa në vitin 2024.

Kuvendi i Prishtinës ka dështuar ta miratojë buxhetin edhe në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur më 18 shtator.